Përfaqësuesit e Kolegjiumit të Drejtorëve të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, zyrtarët për barazi gjinore, përfaqësuesit e Qendrave për Punë Sociale (QPS) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i kanë drejtuar sot një letër Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, Ministrit në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti dhe Ministres në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla Schwarz, duke kërkuar ndërmarrjen urgjente të masave për financimin e qëndrueshëm të shërbimeve sociale në Kosovë.
Në njoftim bëhet e ditur se kërkesa bazohet në diskutimet e zhvilluara më 23 korrik me përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, ku u theksua se financimi aktual nuk u përgjigjet nevojave reale të qytetarëve dhe pengon zbatimin efektiv të legjislacionit për shërbimet sociale dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Përmes letrës, kërkohet që Qeveria të rrisë financimin për shërbimet sociale me 3 milion euro shtesë për vit, përmes Grantit të Përgjithshëm, me qëllim forcimin e kapaciteteve të komunave dhe QPS për të ofruar shërbime cilësore dhe në përputhje me standardet ligjore.

Punësimin shtesë të pesë profesionistëve të shërbimeve sociale në QPS, përfshirë së paku një profesionist në secilën komunë të dedikuar për trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore; të rritet numri i punëtorëve të lejuar dhe vlera e kategorisë për paga dhe mëditje në qarkoren e ardhshme të buxhetit;
Rritja e financimit për paga, mallra dhe shërbime, subvencione dhe transfere;
Investime në infrastrukturën dhe pajisjet e QPS;
Rritja e mbështetjes për shërbimet rezidenciale, strehimoret për fëmijë dhe qendrat për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve;
Forcimi i fondeve emergjente për mbështetjen e menjëhershme të viktimave të dhunës.
Përmes letrës, pjesëmarrësit në diskutim kërkojnë gjithashtu që shpërndarja e fondeve ndërmjet komunave të bazohet në një formulë të drejtë dhe transparente, e orientuar sipas nevojave reale të qytetarëve dhe në përputhje me parimet e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.
Po ashtu, ata i bëjnë thirrje Ministrisë së Financave që gjatë vitit 2027 të iniciojë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, me qëllim krijimin e një Granti Specifik për Shërbimet Sociale. Sipas tyre, një mekanizëm i tillë do të siguronte financim të dedikuar, të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për shërbimet sociale, duke shmangur konkurrimin e tyre me prioritetet e tjera komunale brenda Grantit të Përgjithshëm.
Në letër theksohet se investimi në shërbimet sociale është investim në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mirëqenien e qytetarëve dhe përmbushjen e obligimeve ligjore të Republikës së Kosovës. Përmes saj u bëhet thirrje institucioneve përgjegjëse që këto kërkesa të reflektohen në procesin e planifikimit buxhetor, qarkore buxhetore dhe në agjendën legjislative të vitit 2027. /Telegrafi/





