Ballina Nacionale IKSHPK: Në këto zona të Kosovës uji nuk rekomandohet për pije

IKSHPK: Në këto zona të Kosovës uji nuk rekomandohet për pije

0

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se po vazhdon monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit për pije në mbarë vendin, duke bërë të ditur se në disa zona uji aktualisht nuk rekomandohet për konsum.
Sipas njoftimit zyrtar të IKSHPK-së, në rajonin e Prishtinës uji nuk rekomandohet për pije në zonat që furnizohen nga Fabrika për Trajtimin e Ujit në Badoc dhe në Vragoli.
Në rajonin e Gjilanit, uji nuk rekomandohet për pije në Komunën e Kamenicës, konkretisht në Stacionin e Pompimit nr. 2, në zonën Bahqja dhe në fshatin Berivojcë.
Po ashtu, në rajonin e Pejës, në Komunën e Klinës, uji nga rrjeti që furnizohet nga puset dhe nga burimi Jarinë nuk rekomandohet për konsum.
Në rajonin e Gjakovës, sipas IKSHPK-së, uji nuk rekomandohet për pije në burimet e Hoçës së Madhe, Opterushës dhe Zaqishtës.
Ndërkohë, në rajonin e Prizrenit, uji nuk rekomandohet për pije në Komunën e Malishevës.
IKSHPK ka bërë të ditur se situata po monitorohet vazhdimisht dhe se qytetarët do të njoftohen me kohë për çdo ndryshim, duke u bërë thirrje të respektojnë rekomandimet për mbrojtjen e shëndetit publik.