Trajneri 78-vjeçar holandez, Dick Advocaat do të rikthehet në stolin e përfaqësueses së Curaçaos, kombit ishullor të Amerikës Qendrore që është kualifikuar për Kupën e Botës 2026.
Curaçao siguroi një kualifikim historik në Kupën e Botës si vendi më i vogël që e ka arritur ndonjëherë këtë, dhe eksperti 78-vjeçar holandez pati një rol të madh në këtë sukses.
Advocaat u detyrua të tërhiqej nga pozicioni i trajnerit në fillim të këtij viti për shkak të sëmundjes së rëndë të vajzës së tij, dhe ai u pasua nga Fred Rutten.
Sezoni i Rutten nuk filloi mirë, duke humbur miqësoret ndaj Kinës 2-0 dhe Australisë 5-1, kështu që drejtuesit e federatës vendosën të mos i besojnë atij për Kupën e Botës.
Sipas portalit holandez NOS, Advocaat do të rikthehet te Curaçao dhe nëse holandezi menaxhon ndeshjet në ShBA, Meksikë dhe Kanada, ai do të bëhet trajneri më i vjetër në historinë e Kupës së Botës.
Rekordi aktualisht mbahet nga Otto Rehhagel, i cili e udhëhoqi Greqinë drejt Kupës së Botës në vitin 2010 në moshën 72-vjeçare. Në Kupën e Botës, Curaçao do të luajë në Grupin E, ku përfshihen edhe Gjermania, Ekuadori dhe Bregu i Fildishtë.
Advocaat është një trajner me një karrierë të pasur, i cili e ka drejtuar Holandën si trajner i ekipit kombëtar në tre raste. Ai ka qenë gjithashtu trajner i ekipit kombëtar të Serbisë, Rusisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Belgjikës, Irakut dhe Koresë së Jugut.
Ndër klubet holandeze, ai ka drejtuar Feyenoord, Alkmaar dhe PSV në disa raste. Ai ka qenë kampion i Holandës vetëm një herë, me PSV në vitin 1997. Ai fitoi Kupën UEFA me Zenit St. Petersbroug në vitin 2008. /Telegrafi/






