Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vërejtjeve përfundimtare të Komitetit të OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit Racor, Komiteti i OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit Racor (CERD), ndaj Serbisë, duke thënë se ato konfirmojnë shqetësimet e ngritura prej vitesh për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Sipas saj, institucionet e Kosovës e kanë trajtuar këtë çështje si përgjegjësi shtetërore dhe tashmë ajo ka edhe dimension të qartë ndërkombëtar.
“Pasivizimi i adresave është diskriminim dhe cenim i pranisë juridike të qytetarëve, me ç’rast u mohohen dokumentet, shërbimet dhe siguria para ligjit,” ka deklaruar Haxhiu.
Ajo u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë, Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës që të rrisin vëmendjen ndaj kësaj çështjeje dhe të kërkojnë zbatimin e rekomandimeve të CERD-it nga Serbia.
“Prandaj u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë… që këtë çështje ta trajtojnë me prioritet dhe të kërkojnë nga Serbia zbatim të plotë të rekomandimeve të CERD-it,” ka shtuar ajo.
Haxhiu theksoi se të drejtat e shqiptarëve në Luginë duhet të jenë pjesë e monitorimit ndërkombëtar dhe e çdo procesi ku vlerësohet sundimi i ligjit dhe trajtimi i pakicave. /Telegrafi/






