Hamasi ka pranuar të çarmatoset, por pasi të plotësohet kushti kryesor i tyre

Bota

Lëvizja palestineze Hamas ka deklaruar se nuk do ta zbatojë marrëveshjen për çarmatimin nëse Izraeli nuk përmbush detyrimin për t’u tërhequr plotësisht nga Rripi i Gazës. Deklarata u bë nga anëtari i ekipit negociator të Hamasit, Ghazi Hamad, i cili theksoi se çështja e armëve është e lidhur drejtpërdrejt me zbatimin e marrëveshjes nga ana […]

Madhësia e shkronjave

Lëvizja palestineze Hamas ka deklaruar se nuk do ta zbatojë marrëveshjen për çarmatimin nëse Izraeli nuk përmbush detyrimin për t’u tërhequr plotësisht nga Rripi i Gazës.

Deklarata u bë nga anëtari i ekipit negociator të Hamasit, Ghazi Hamad, i cili theksoi se çështja e armëve është e lidhur drejtpërdrejt me zbatimin e marrëveshjes nga ana e Izraelit.

“Marrëveshja përmban një dispozitë të qartë që e obligon Izraelin t’i përmbushë detyrimet e tij. Nëse Izraeli nuk e zbaton marrëveshjen, as ne nuk do ta zbatojmë”, tha Hamad.

Ai sqaroi se Izraeli nuk do të ketë rol në procesin e çarmatimit. Sipas tij, armët do të regjistrohen dhe do të ruhen nga Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës, në përputhje me afatet e dakorduara dhe pa ndërhyrjen e autoriteteve izraelite, shkruan aljazeera.

Hamad bëri të ditur se negociatat për këtë draft-marrëveshje kanë zgjatur rreth gjashtë muaj dhe janë karakterizuar nga bisedime të gjata e të vështira. Ai tha se Hamasi ka pranuar të bëjë kompromise vetëm për të mbrojtur popullsinë civile palestineze.

“Po bëjmë lëshime për popullin tonë në Rripin e Gazës, për t’i shpëtuar nga vrasjet dhe zhvendosja”, deklaroi ai.

Sipas Hamasit, marrëveshja është një paketë e pandashme që përfshin përfundimin e luftës, krijimin e një administrate kombëtare për Gazën, tërheqjen e plotë të forcave izraelite, nisjen e rindërtimit të territorit të shkatërruar dhe vendosjen e forcave ndërkombëtare të stabilizimit.

Përfaqësuesit e Hamasit dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë pritet të zhvillojnë bisedime të mëtejshme për të finalizuar mekanizmat dhe afatet e zbatimit të marrëveshjes.

Sipas Hamadit, ky proces mund të zgjasë rreth dy javë ose edhe më gjatë, pasi duhet të dakordohen të gjitha detajet teknike të zbatimit. /Telegrafi/