Guler tregoi pse vendosi të godiste nga 70 metra: Çfarë goli

Real Madrid arriti një fitore bindëse 4-1 ndaj Elches në Santiago Bernabeu, ndërsa protagonisti kryesor i mbrëmjes ishte Arda Guler.

Mesfushori turk realizoi një gol spektakolar nga pothuajse 70 metra, një moment që elektrizoi tifozët në “Bernabeu” dhe vulosi paraqitjen e tij të shkëlqyer.

Duke folur për Real Madrid TV pas ndeshjes, Guler nuk e fshehu lumturinë për realizimin e jashtëzakonshëm.

“Jam shumë i lumtur, ishte një gol i shkëlqyer. E pashë portierin që nuk ishte i pozicionuar mirë, provova dhe çfarë goli!”, tha ai.

Duke reflektuar për performancën e ekipit, 19-vjeçari theksoi edhe rolin e lojtarëve të rinj në këtë fitore.

“Me mbështetjen e lojtarëve të rinj arritëm të luanim një ndeshje të mirë dhe të siguronim një fitore të pastër”, u shpreh Guler.

Ai gjithashtu përmendi lodhjen e skuadrës pas përballjes së fundit ndaj Manchester City, por theksoi se mentaliteti i ekipit mbetet i fortë dhe se fokusi është tashmë te sfidat e radhës.

“Po, duhet të dalim dhe të sulmojmë që nga fillimi dhe në këtë mënyrë mund të shënojmë më shumë gola”, përfundoi ai.

Kontributi i Gulerit jo vetëm që vulosi fitoren e Real Madridit, por gjithashtu tregoi rëndësinë në rritje të talentit turk në skuadrën madrilene. /Telegrafi/