Liverpooli po e monitoron nga afër situatën e Jamal Musialas dhe mund të tentojë transferimin e tij gjatë verës së ardhshme, nëse ylli gjerman arrin të rikthehet në formën e tij më të mirë fizike.
Gjithnjë e më shumë po flitet për mundësinë që Bayern Munich ta shesë 23-vjeçarin në fund të sezonit, për shkak të shqetësimeve rreth gjendjes së tij fizike dhe nivelit të paraqitjeve pas një lëndimi të rëndë të pësuar në Kupën e Botës për Klube.
Musiala u rikthye në fushë në fillim të vitit, por më pas u diagnostikua me një problem shëndetësor që shkakton të fikët, pasi kishte pësuar dy episode të tilla gjatë përgatitjeve parasezonale.
Legjenda e Bayern Munichut dhe anëtari i bordit drejtues, Karl-Heinz Rummenigge, së fundmi ka vënë në pikëpyetje nëse kontrata aktuale e lojtarit është ende e përballueshme për klubin, duke shprehur gjithashtu dyshime nëse ai do të arrijë të rikthehet në nivelin e mëparshëm.
Sipas Football Insider, Bayern Munich është gjithnjë e më i hapur për shitjen e reprezentuesit gjerman, ndërsa Liverpooli është një prej klubeve që po e përcjell situatën e tij.
Raportohet se drejtuesit e klubit anglez janë të gatshëm të shqyrtojnë mundësinë e transferimit, por vetëm nëse Musiala dëshmon se i ka lënë pas problemet fizike.
Futbollisti ka regjistruar vetëm gjashtë paraqitje me bavarezët këtë sezon, teksa klubi gjerman po tregohet shumë i kujdesshëm me rikthimin e tij në konkurrencë.
Në garë për shërbimet e tij mund të jetë edhe Arsenali, pasi sipas talkSPORT, të dy klubet angleze po e monitorojnë situatën e mesfushorit ofensiv.
Një tjetër element që mund ta bëjë transferimin edhe më interesant është klauzola e lirimit në kontratën e tij. Edhe pse shifra e saktë nuk është bërë publike, ajo besohet të jetë rreth 147 milionë funte./Telegrafi/






