Gjermania ka vendosur sot një rekord absolut të temperaturës, me 41.3 gradë Celsius të regjistruara në një lagje të qytetit Saarbruecken, në perëndim të vendit, sipas të dhënave paraprake të shërbimit meteorologjik gjerman (DWD).
“Kjo vlerë është arritur për herë të parë në Gjermani” që nga fillimi i matjeve meteorologjike, njoftoi shërbimi përmes platformës sociale Bluesky.
Rekordi i mëparshëm i temperaturës në Gjermani ishte 41.2 gradë Celsius, i regjistruar më 25 korrik 2019.
“Është plotësisht e mundur që kjo temperaturë të arrihet sërish nesër (të shtunën), madje edhe të tejkalohet lehtë”, tha për agjencinë AFP Uwe Baumgarten, meteorolog në DWD, shkruajnë mediat.
Meteorologët gjermanë kanë lëshuar sot në mëngjes paralajmërime për valë të forta deri ekstreme të të nxehtit në të gjithë vendin. Dita më e nxehtë pritet të jetë e diela, kur temperaturat mund të arrijnë deri në 42 gradë Celsius. Parashikuesit thonë se vala e të nxehtit do të vazhdojë deri në fillim të javës së ardhshme.
Për shkak të temperaturave të larta, në shumë pjesë të Gjermanisë janë anuluar aktivitete sportive dhe ngjarje në ambiente të hapura.
Temperaturat ekstreme kanë rënduar edhe infrastrukturën, ndërsa kompania gjermane e hekurudhave ka paralajmëruar për probleme të mundshme dhe ka këshilluar që udhëtimet të shmangen, përveç rasteve kur janë të domosdoshme.
Përveç temperaturave të larta, nga e shtuna pritet të rritet gradualisht mundësia për stuhi nga perëndimi, me reshje të dendura shiu, breshër dhe erëra të forta. /Telegrafi/






