Gjermania reformon shërbimet sekrete, BND-së i jepen kompetenca të reja

Bota

Gjermania ka miratuar një paketë të gjerë ligjore që synon të heqë kufizimet e vendosura ndaj shërbimeve të saj të inteligjencës pas Luftës së Dytë Botërore. Reforma shënon një ndryshim të madh në politikën e sigurisë së Berlinit, pas një sërë sulmesh dhe incidentesh të fundit. Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, e ka cilësuar reformën […]

Madhësia e shkronjave

Gjermania ka miratuar një paketë të gjerë ligjore që synon të heqë kufizimet e vendosura ndaj shërbimeve të saj të inteligjencës pas Luftës së Dytë Botërore. Reforma shënon një ndryshim të madh në politikën e sigurisë së Berlinit, pas një sërë sulmesh dhe incidentesh të fundit.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, e ka cilësuar reformën të domosdoshme për ndryshimin e mënyrës së operimit të shërbimeve. “Po i shndërrojmë shërbimet tona të inteligjencës në shërbime të vërteta sekrete”, deklaroi ai.

Sipas projektligjit, shërbimi i inteligjencës së jashtme BND do të ketë kompetenca më të mëdha, përfshirë autorizimin për sulme kibernetike hakmarrëse dhe manipulimin ose fshirjen e të dhënave të kundërshtarëve, shkruan theguardian.

BND-së do t’i lejohet gjithashtu të ndërpresë transferta financiare drejt operativëve të huaj dhe të sabotojë prodhimin e armëve përmes ndryshimit të planeve teknike. Drejtori Martin Jäger tha se Gjermania duhet t’u tregojë Rusisë, Kinës dhe kundërshtarëve të tjerë se mund të kundërpërgjigjet.

Ndërkohë, personeli gjerman i inteligjencës i vendosur jashtë vendit do të përballet me më pak pengesa për mbajtjen e armëve të zjarrit për qëllime mbrojtëse. Megjithatë, përdorimi i forcës vdekjeprurëse për operacione sulmuese do të mbetet i ndaluar.

Edhe inteligjenca e brendshme do të fitojë kompetenca më të mëdha. Inteligjenca artificiale do të përdoret për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, ndërsa do të ulen kriteret për mbikëqyrjen e banesave dhe komunikimeve online.

Reforma ka shkaktuar shqetësime te mbrojtësit e lirive civile. Komisionerja federale për mbrojtjen e të dhënave, Louisa Specht-Riemenschneider, paralajmëroi se zgjerimi i mbikëqyrjes nuk shoqërohet me kontroll të mjaftueshëm, ndërsa të Gjelbërit kritikuan ndërthurjen e kompetencave të policisë dhe inteligjencës.

Qeveria e Friedrich Merzit e konsideron reformën thelbësore për forcimin e sigurisë përballë pasigurisë gjeopolitike dhe dyshimeve për rolin e SHBA-së si garantuese e sigurisë. Projektligji duhet të miratohet nga parlamenti dhe mund t’i nënshtrohet shqyrtimeve gjyqësore para zbatimit të planifikuar në fillim të vitit 2027. /Telegrafi/