G-Bani 'shpërthen' për Gjestin: U pre në besë, një shok i mirë nuk do ta lejonte të qarkullonte me armë zjarri

Reperi, G-Bani, ka reaguar publikisht për situatën e këngëtarit Gjesti.

Arrestimi ndodhi pas një incidenti të raportuar në zyrat e kompanisë “Onima”.

Përmes një postimi në InstaStory, G-Bani ka ndarë mendimin e tij lidhur me ngjarjen, duke theksuar se veprimet e fundit të Gjestit nuk e përfaqësojnë domosdoshmërisht karakterin e tij, por sipas tij janë ndikuar nga rrethana të ndryshme dhe nga njerëzit që e rrethojnë.

Ai thekson se një pjesë e përgjegjësisë qëndron edhe te shoqëria e artistit, e cila sipas tij nuk e ka këshilluar si duhet në momentet e vështira. Reperi përmend gjithashtu gjendjen emocionale të Gjestit pas humbjes së vëllait, presionin e famës dhe moshën si faktorë që mund të kenë ndikuar në reagimet e tij.

Në reagimin e tij, G-Bani nuk e justifikon mënyrën se si Gjesti ka vepruar, por shpreh mendimin se artisti nuk përbën rrezik për shoqërinë dhe se drejtësia duhet të marrë një vendim të drejtë pa e ndërprerë karrierën e tij.

Në postimin e tij ai shkruan:

Problemi ma i madh i Gjestit, nuk asht ai vetë. Ai vetë asht i mirë me gjithë të këqijat e tij njerëzore, si të gjithë. Problemi ma i madh i tij asht shoqëria e gabume që kërkon të duket me famën e tij dhe shembujt e gabum që ndjek. Një shok e mik i mirë nuk e lejonte kurrë të qarkulloje me armë zjarri duke e ditë gjendjen e tij emocionale të ngarkume pas humbjes së vëllait të tij, nxitimin e moshës dhe porositë e famës.

Arma, burgu dhe sherret janë për burrat. Por arma, mbetet e fundit. Shqiptari ka në traditë besën dhe fjalën. Skllavopronari i Onimës, e ka pre në besë Gjestin kur e ka denoncu. Kjo kuptohet. Edhe Gjesti ka zgjedh mënyrën e gabume. Edhe kjo kuptohet. Uroj dhe shpresoj që Drejtësia e Kosovës t’i japë një mësim të mirë, por jo duke i mohuar lirinë.

Ndoshta një gjobë të majme sa për të kuptuar se kur sendet shkojnë keq, jemi vetëm. Nuk na ndihmon dot asnjë nga ata që i bijnë gjoksit me trimëri kur na shesin nder e moral. Por nuk besoj se Gjesti përbën rrezik për shoqërinë e Kosovës aq sa të burgoset. Absolutisht jo. Shpresoj mos t’i ndërpritet udhëtimi dhe karriera e tij në këtë pikë.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur t’i caktojë këngëtarit Gjesti masën e paraburgimit prej 30 ditësh. /Telegrafi/

Screenshot/InstaStory