Futbolli saudit, një vitrinë globale – Kampionati Botëror, konfirmim i kësaj

Sport

Kur Cristiano Ronaldo u largua nga futbolli evropian për t’u transferuar në Arabinë Saudite, shumë e konsideruan atë hap si sinjal se karriera e tij në kombëtare do të ftohej, me idenë se kampionati saudit nuk ishte në nivelin e kërkuar për futbollin elitar. Mirëpo, me kalimin e kohës, Saudi Pro League jo vetëm që […]

Madhësia e shkronjave

Kur Cristiano Ronaldo u largua nga futbolli evropian për t’u transferuar në Arabinë Saudite, shumë e konsideruan atë hap si sinjal se karriera e tij në kombëtare do të ftohej, me idenë se kampionati saudit nuk ishte në nivelin e kërkuar për futbollin elitar.

Mirëpo, me kalimin e kohës, Saudi Pro League jo vetëm që u mbush me yje si Neymar, Benzema, Milinkovic-Savic e Cancelo, por nisi të shihet gjithnjë e më shumë si një skenë ku lojtarët mund të jenë ende relevantë edhe për ekipet e tyre kombëtare.

Edhe pse Ronaldo deklaroi se “liga saudite është shumë më e mirë se ligat portugeze dhe franceze… në Francë gjithçka sillet rreth PSG-së”, kjo u prit me skepticizëm në Evropë.

Për një kohë, futbolli në Lindjen e Mesme u trajtua si një nivel dytësor krahasuar me pesë ligat e mëdha evropiane, duke u krijuar bindja se lojtarët që shkonin atje do ta humbnin shansin për t’u thirrur në kombëtare.

Nuk “mbyll” domosdoshmërisht derën e kombëtares

MARCA shkruan se realiteti i viteve të fundit e ka rrëzuar këtë perceptim. Në Evropë u përhap ideja se futbollistët që transferohen në Arabinë Saudite e mbyllin kapitullin me kombëtaren, por koha ka treguar se kjo nuk është bërë normë.

Si shembull përmendet deklarata e Ronald Koemanit, i cili në vitin 2024 tha se “libri i tij me ekipin kombëtar është mbyllur” për Steven Bergwijn pas kalimit të tij te Al-Ittihad.

Megjithatë, thirrjet e fundit në kombëtare për lojtarë që luajnë në SPL tregojnë se trajnerët po i vlerësojnë edhe këta futbollistë, nëse janë në formë dhe kanë rol të rëndësishëm në ekipet e tyre.

Rasti më i diskutuar së fundmi është ai i Ivan Toney. Sulmuesi i Al-Ahli u përfshi në skuadrën e Thomas Tuchel për Kupën e Botës 2026, duke shkaktuar debat në Angli, sidomos për faktin se u preferua ndaj disa opsioneve vendase.

“Përfshirja e tij ishte gjithashtu një surprizë për ne. Ai ka një prani të natyrshme në zonë dhe është një finalizues i natyrshëm”.

“Ai është i mirë në goditjet standarde. Dhe të mos harrojmë, ai është një specialist i penalltive i klasit botëror”, deklaroi Tuchel pas shpalljes së listës.

Shembuj nga Brazili e Spanja – Franca dhe Portugalia, fenomeni merr formë

MARCA përmend edhe raste të tjera: Roger Ibáñez është ftuar nga Carlo Ancelotti për Brazilin, ndonëse deri tani kishte pasur një minutazh të kufizuar me kombëtaren.

Në Spanjë, debati u përqendrua te Aymeric Laporte (për periudhën e tij në Arabinë Saudite), ndërsa trajneri Luis de la Fuente ishte i prerë.

“Të luash në Arabinë Saudite nuk është përcaktuese. Unë preferoj një ekip që luan 90 minuta në Arabinë Saudite sesa një që luan 15 ose 20 minuta në Ligën Premier”, kishte thënë ai në vitin 2024.

Në Francë, N’Golo Kanté u rikthye dhe u përdor rregullisht edhe gjatë kohës te Al-Ittihad, ndërsa për Botërorin 2026 është përmendur edhe Theo Hernández, aktualisht pjesë e Al-Hilal.

Sipas shkrimit, fenomeni mori formë sidomos në Portugali, ku vazhdoi besimi te Cristiano Ronaldo edhe pas kalimit të tij në Arabinë Saudite.

Për më tepër, emra si João Félix (Al-Nassr), Rúben Neves dhe João Cancelo (Al-Hilal) vazhdojnë të jenë lojtarë të rëndësishëm për Roberto Martínez dhe pritet të jenë pjesë e Botërorit në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Lista e plotë e lojtarëve nga futbolli saudit në Botërorin 2026

Sipas listës së përmendur, në Botërorin 2026 do të ketë një numër të konsiderueshëm futbollistësh që luajnë në Arabinë Saudite dhe do të përfaqësojnë kombëtaret e tyre: Bregu i Fildishtë – Franck Kessié (Al Ahli); Franca – Theo Hernandez (Al Hilal); Brazili – Roger Ibáñez (Al Ahli) dhe Fabinho (Al Ittihad); Curaçao – Jurien Gaari (Abha Club); Portugalia – Rúben Neves (Al Hilal), João Félix (Al Nassr) dhe Cristiano Ronaldo (Al Nassr); Anglia – Ivan Toney (Al Ahli); Panama – Orlando Mosquera (Al Fayha); Maroku – Yassine Bono (Al Hilal); Senegali – Édouard Mendy (Al Ahli), Kalidou Koulibaly (Al Hilal) dhe Sadio Mané (Al Nassr); Egjipti – Nabil Dunga (Al Najma); Algjeria – Riyad Mahrez (Al Ahli) dhe Houssem Aouar (Al Ittihad); Iraku – Ali Jasim (Al Najma); Meksika – Julián Quiñones (Al Qadisiyah); Turqia – Merih Demiral (Al Ahli); Tunizia – Aymen Dahmen (Al Hazem); Uruguai – Darwin Núñez (Al Hilal); Jordania – Ali Al-Azaizeh (Al Shabab); Gana – Cristopher Bonsu Baah (Al Kadisiyah).

Në fund, mesazhi i përgjithshëm i shkrimit është i qartë: futbolli saudit po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një “vitrinë” të rëndësishme, ku lojtarët mund të ruajnë statusin e tyre ndërkombëtar dhe të jenë pjesë e skenës më të madhe, Kupës së Botës. /Telegrafi/