Tyson Fury dhe Anthony Joshua janë përballur për herë të parë zyrtarisht para duelit të shumëpritur mes tyre, ndërsa konferenca për media në Londër solli më shumë respekt dhe batuta sesa tension.
Pas më shumë se një dekade pritjeje, negociatash të dështuara dhe deklaratash të shumta në distancë, dy ish-kampionët e botës në peshat e rënda u ulën më në fund përballë njëri-tjetrit në konferencën e parë zyrtare për duelin e tyre.
Fury dhe Joshua do të përballen më 11 dhjetor në “Principality Stadium” të Cardiffit, në një prej dueleve më të mëdha të boksit britanik të viteve të fundit. Të dy janë kampionë të botës në dy raste dhe kanë kaluar një pjesë të madhe të karrierës duke u lidhur me njëri-tjetrin, por pa arritur ta zhvillojnë kurrë përballjen.
Pritshmëritë për një konferencë të tensionuar ishin të mëdha, sidomos pas ditëve të fundit të mbushura me polemika rreth organizimit të duelit. Megjithatë, atmosfera ishte befasuese. Fury dhe Joshua shkëmbyen batuta, buzëqeshën gjatë përballjes dhe madje folën edhe për mundësinë që pas duelit të ulen së bashku për një pije.

“Është kremi mbi tortë i dy karrierave të mëdha”, deklaroi Fury, duke iu referuar faktit se përballja po zhvillohet në fazën e fundit të karrierave të tyre.
Fury, i cili ka qenë shpesh shumë provokues ndaj rivalëve të tij, kësaj radhe foli me respekt për Joshuan.
“Ka qenë model dhe fytyra e boksit britanik për vite me radhë”, tha ai, duke shtuar me humor se shpesh e gjen veten duke e mbrojtur rivalin e tij kur tifozët e kritikojnë.
Joshua, ndërkohë, e përshkroi përballjen si një moment të jashtëzakonshëm për boksin britanik.
“Është mahnitëse dhe nuk po e them këtë lehtë. Jam vërtet mirënjohës për këtë mundësi dhe që po e sjellim në Britaninë e Madhe”, deklaroi Joshua.
Një prej momenteve më interesante erdhi kur të dy kujtuan një seancë të famshme sparingu nga viti 2010, kur Joshua ishte ende amator. Fury pretendoi me humor se kishte dalë më mirë në atë përballje, ndërsa Joshua buzëqeshi dhe tha se nuk e mbante mend.
Edhe përballja e tyre para kamerave ishte larg tensionit të zakonshëm. Joshua buzëqeshi dhe bëri shaka me Furyn, ndërsa të dy vazhduan të shkëmbenin batuta. Fury, megjithatë, nuk e humbi mundësinë për ta provokuar rivalin: “Kur ta godas në nofull me të djathtën time të fortë, ai do të bjerë”.
Joshua iu përgjigj duke përdorur një prej frazave të famshme të Furyt: “Get up” – “Çohu”.
Në fund, megjithatë, ajo që mbeti nga konferenca ishte ndjenja se Fury dhe Joshua më në fund po i afrohen momentit që tifozët e boksit e kanë pritur për vite. Pas kaq shumë fjalësh, negociatash dhe shtyrjesh, këtë herë përgjigjen do ta japë ringu. /Telegrafi/





