Fotografoi veturën e të dëmtuarit dhe njoftoi bashkëpunëtorin, aktakuzë për vrasje të rëndë në tentativë ndaj të dyshuarit në Leposaviq

Nacionale

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj të pandehurit me iniciale V.M., për shkak të kryerjes së veprave penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Sipas aktakuzës, i pandehuri V.M., nga një datë […]

Madhësia e shkronjave

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj të pandehurit me iniciale V.M., për shkak të kryerjes së veprave penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri V.M., nga një datë e pacaktuar deri më 1 nëntor 2025, me dashje ka ndihmuar persona të tjerë në kryerjen e veprës penale, në atë mënyrë që, gjatë paradites së 1 nëntorit 2025, ka fotografuar automjetin e të dëmtuarit M.V., pranë shtëpisë së tij, dhe fotografitë ia ka përcjellë A.F.

“Më pas, i dëmtuari M.V. është kontaktuar dhe është dakorduar që të shkonte në një lokacion të caktuar në fshatin Kapuricë, Komuna e Leposaviqit, për të blerë mjaltë. Pasi ishte nisur me automjetin e tij të tipit ‘Niva’, i pandehuri, përmes telefonit, e ka njoftuar A.F.-në se i dëmtuari ishte nisur në drejtim të kufirit. Sipas aktakuzës, në momentin kur i dëmtuari ka arritur në lokacionin e caktuar, persona të panjohur e kanë plagosur dhe rrëmbyer atë, duke e dërguar më pas në territorin e Serbisë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, i pandehuri, në shtëpinë e tij në fshatin Leshak të Leposaviqit, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët pa autorizim dhe leje përkatëse ka mbajtur në posedim armën e gjuetisë dy tytëshe, një tytë të armës së gjatë, një jelek gjuetie me 28 fishekë të armës së gjatë, si dhe 11 fishekë të tjerë të armës së gjatë, ku në vendin e ngjarjes i janë sekuestruar armët dhe fishekët.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me rastin e ngritjes së aktakuzës ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe t`a dënojë sipas ligjit.

Ndryshe, ish-pjesëtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, V.M., dyshohet se ka lidhje me kidnapimin dhe plagosjen e Milan Vukashinoviqit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Ekzistojnë dyshime se V.M. kishte bashkëpunuar dhe mbështetur në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe rastin e kidnapimit të Milan Vukashinoviqit, i cili gjatë këtij rasti ishte plagosur rëndë./Telegrafi/