Jarell Quansah është pezulluar për dy ndeshje nga FIFA pas kartonit të kuq të marrë në fitoren e Anglisë ndaj Meksikës në fazën e 1/8 së finales të Kupës së Botës.
Mbrojtësi u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes së VAR-it, pas një ndërhyrjeje të rrezikshme me rrëshqitje, ku takat e tij goditën në pjesën e poshtme të këmbës së Jesus Gallardos.
Fillimisht, Anglia po shqyrtonte mundësinë e apelimit të vendimit, veçanërisht pas rastit të sulmuesit amerikan Folarin Balogun, të cilit FIFA ia anuloi pezullimin prej një ndeshjeje pas presionit të madh publik dhe ndërhyrjeve politike në SHBA.
Megjithatë, “Tre Luanët” kanë marrë një lajm edhe më të keq, pasi FIFA ka vendosur që pezullimi i Quansahut të jetë dy ndeshje, jo vetëm një.
Vendimi erdhi pasi FIFA e gjeti mbrojtësin në shkelje të nenit 14 të kodit disiplinor, i cili parashikon një dënim prej dy ndeshjesh për raste të lojës së rëndë dhe ndërhyrjeve serioze.
Kjo do të thotë se mbrojtësi i Bayer Leverkusenit do të mungojë në çerekfinalen e së shtunës ndaj Norvegjisë, si dhe në një gjysmëfinale të mundshme ndaj Argjentinës ose Zvicrës.
Mundësia e vetme që Quansah të rikthehet në fushë është finalja, nëse Anglia arrin deri në atë fazë.
Vendimi i FIFA-s vjen në një periudhë të mbushur me polemika, pasi institucioni i futbollit botëror u kritikua ashpër për anulimin e pezullimit të Folarin Baloguni para ndeshjes së SHBA-së ndaj Belgjikës, të cilën amerikanët e humbën 4-1.
Më herët, FIFA ishte kritikuar edhe për mungesën e një procedure të qartë apelimi ndaj kartonëve të kuq në Kupën e Botës./Telegrafi/






