Botërori 2026 me 48 kombëtare deri më tani nuk ka sjellë numrin e madh të ndeshjeve të njëanshme që shumëkush kishte parashikuar pas zgjerimit të turneut, tregojnë statistikat pas 24 ndeshjeve të para të garës.
Kur FIFA vendosi ta zgjerojë Kupën e Botës nga 32 në 48 përfaqësuese, pati zëra që paralajmëruan se përfshirja e më shumë skuadrave me rangim më të ulët do të ulte nivelin e garës dhe do të rriste numrin e humbjeve të thella.
Megjithatë, zhvillimet e deritanishme në turne nuk i mbështesin plotësisht këto pretendime.
Pas 24 ndeshjeve të para, diferenca totale e golave është 35, saktësisht e njëjtë me atë të regjistruar në të njëjtën fazë të Botërorit “Katar 2022”. Ndërkohë, numri i golave të shënuar është rritur nga 57 në 75.
Sigurisht që nuk kanë munguar rezultatet bindëse. Gjermania mposhti debutuesin Curaçao me rezultat 7-1, ndërsa Kanadaja triumfoi 6-0 ndaj Katarit. Haiti, në anën tjetër, u bë një nga ekipet e para të eliminuara pas vetëm dy ndeshjeve.
Megjithatë, disa prej përfaqësueseve më pak tradicionale kanë lënë përshtypje të jashtëzakonshme. Kepi i Gjelbër, kombëtarja e pestë me renditjen më të ulët në fillim të turneut dhe një nga shtetet më të vogla që ka siguruar ndonjëherë pjesëmarrjen në Kupën e Botës, arriti një barazim 0-0 ndaj kampiones së Evropës, Spanjës.
Po ashtu, Republika Demokratike e Kongos, e cila po merr pjesë për vetëm herë të dytë në një Botëror pas paraqitjes së vitit 1974 si Zaire, barazoi 1:1 kundër Portugalisë së Cristiano Ronaldos.
Ndërkohë, Zelanda e Re, kombëtarja me renditjen më të ulët nga të gjitha pjesëmarrëset, mori një pikë të vlefshme pas barazimit 2-2 me Iranin.
Trajnerë, futbollistë dhe analistë e shohin këtë rritje të konkurrencës si rezultat të zhvillimit global të futbollit, pranisë gjithnjë e më të madhe të lojtarëve nga vendet më të vogla në ligat elitare, punës së trajnerëve më cilësorë dhe qasjes më të lehtë në metodat moderne të përgatitjes taktike e fizike.
Selektori i Meksikës, Javier Aguirre, vlerësoi nivelin e lartë të rivalitetit në këtë Botëror.
“Është shumë e vështirë të fitosh. Më ka befasuar sa të balancuara janë ndeshjet. Është folur shumë për formatin me 48 ekipe, por përveç Gjermanisë, që krijoi diferencë të madhe me shumë gola, pothuajse çdo ndeshje tjetër ka qenë jashtëzakonisht e vështirë”, deklaroi ai.
Një vlerësim të ngjashëm dha edhe përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, pas barazimit me Kepin e Gjelbër.
“Kjo ndeshje na tregoi se Kupa e Botës është një turne me shumë ekuilibër. Është jashtëzakonisht e komplikuar”, u shpreh De la Fuente.
Ndërkohë, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, është përballur me kritika nga federata të ndryshme të Azisë, Afrikës dhe Karaibeve pas raportimeve se kishte sugjeruar se zgjerimi i Botërorit kishte sjellë ndeshje më pak interesante.
Federatat në fjalë reaguan duke theksuar se futbolli nuk i përket një grupi të kufizuar kombesh, por e merr forcën pikërisht nga universaliteti dhe përfshirja e tij globale. /Telegrafi/






