Një hetim i publikuar nga Qendra për Gazetarinë Hulumtuese të Serbisë (CINS) hedh dritë mbi mënyrën se si po realizohet projekti i madh EXPO 2027, duke ngritur dyshime serioze për transparencën e kontratave dhe përfshirjen e personave me lidhje të kontestuara me rrjete kriminale dhe struktura të pushtetit.
Sipas këtij hulumtimi, ndërsa autoritetet flasin për investime me vlerë qindra miliona euro në ndërtimin e infrastrukturës për EXPO-n, në terren janë angazhuar kompani dhe individë që, sipas të dhënave të mbledhura, lidhen me figura të njohura të botës së krimit të organizuar, si dhe me persona të afërt me qarqe politike dhe biznesi.
Hetimi thekson se në listën e kontraktorëve, nënkontraktorëve dhe furnizuesve për projektin figurojnë subjekte që lidhen me bashkëpunëtorë ose familjarë të individëve të përfshirë më parë në struktura kriminale të njohura në rajon.
Po ashtu, përmenden edhe lidhje me persona të dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë anëtarë të grupeve të njohura kriminale dhe individë të përfshirë në incidente të profilit të lartë.
Një nga rastet e përmendura në raport lidhet me kompani që kanë marrë pjesë në projekte të mëdha infrastrukturore në Beograd dhe që, sipas CINS, janë themeluar së fundmi, por kanë fituar shpejt qasje në kontrata shtetërore me vlerë të lartë.
Po ashtu, në raport përmendet edhe përfshirja e subjekteve të lidhura me figura të njohura të botës së sportit dhe biznesit, të cilat dyshohet se kanë përfituar nga kontratat publike.
CINS thotë se një nga sfidat kryesore të hetimit ka qenë mungesa e transparencës zyrtare, pasi lista e plotë e kompanive të përfshira në projekt nuk është bërë publike nga institucionet shtetërore.
Për këtë arsye, organizata ka ndërtuar një bazë të dhënash me mbi 200 kompani të identifikuara si pjesë e zinxhirit të realizimit të projektit EXPO 2027, duke përdorur dokumente, burime të hapura dhe të dhëna gjyqësore.
Sipas gjetjeve të raportit, disa nga këto kompani kanë lidhje indirekte me persona të njohur për precedentë penalë ose me individë të afërt me pushtetin, çka ngre shqetësime për mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike dhe kontrollin mbi projektet strategjike shtetërore.
Hetimi përfundon se EXPO 2027, i prezantuar si një projekt zhvillimor dhe ekonomik për vendin, po shoqërohet me një rrjet kompleks interesash ku ndërthuren biznesi, politika dhe figura të kontestuara, duke ngritur pyetje të rëndësishme mbi integritetin e procesit të prokurimeve publike.
Autoritetet përkatëse nuk kanë dhënë ende një reagim të detajuar mbi gjetjet e raportit. /Telegrafi/






