Enkel Rexhepi ngre shqetësimin për mungesën e shqiptarëve në polici dhe drejtësi gjatë takimit me OSBE-në

Vendore

Kryetari i Këshilli Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka pritur në takim drejtorin për siguri në misionin e OSBE në Serbi, Valentin Mikhailov, së bashku me bashkëpunëtorët e tij. Gjatë takimit është diskutuar për gjendjen e sigurisë në Luginën e Preshevës dhe, në veçanti, për mungesën e integrimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë. […]

Madhësia e shkronjave

Kryetari i Këshilli Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka pritur në takim drejtorin për siguri në misionin e OSBE në Serbi, Valentin Mikhailov, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.

Gjatë takimit është diskutuar për gjendjen e sigurisë në Luginën e Preshevës dhe, në veçanti, për mungesën e integrimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë.

Sipas Rexhepit, refuzimi i vazhdueshëm i institucioneve shtetërore për pranimin e shqiptarëve në polici tashmë nuk përbën vetëm problem institucional, por po shndërrohet edhe në çështje serioze të sigurisë për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Ai ka përmendur edhe konkursin e fundit për policë, ku sipas tij, nga rreth 30 kandidatë shqiptarë nga Lugina nuk është pranuar asnjë.

Rexhepi theksoi se numri i policëve shqiptarë në Bujanoc ka rënë ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Nga mbi 90 policë shqiptarë sa kishte para një dekade, aktualisht numri ka zbritur në rreth 50, ndërsa me pensionimin e vazhdueshëm të kuadrove ekzistuese, ai paralajmëroi se përfaqësimi mund të mbetet vetëm simbolik.

Në takim u diskutua edhe nevoja për rikthimin e një programi funksional të policisë multietnike, të ngjashëm me atë të realizuar pas Marrëveshja e Konçulit, kur qindra shqiptarë u integruan në polici me mbështetjen e OSBE-së.

Po ashtu, Rexhepi ngriti shqetësime edhe për mungesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë në institucionet e drejtësisë, duke vlerësuar se reduktimi i tyre në nivele minimale po ndikon në uljen e besimit institucional tek qytetarët shqiptarë në Luginë./BujanociNet/