Pas triumfit në FA Cup ndaj Chelseat, Pep Guardiola po e mobilizon Manchester Cityn për një mbyllje të lodhshme sezoni dhe objektivi është i qartë, pra vetëm titulli i Ligës Premier.
City janë dy pikë prapa Arsenalit me dy ndeshje të mbetura, çka e bën udhëtimin e së martës në fushën e Bournemouthit pothuajse “duhet fituar”.
“Do të përpiqemi ta zgjasim sezonin. Do të përpiqemi ta fitojmë ndeshjen dhe të mbërrijmë kundër Aston Villës me një shans. Me letra në tavolinë, ne e dimë saktësisht çfarë duhet të bëjmë. Do të përpiqemi”.
Trajneri spanjoll paralajmëroi se nuk e nënvlerëson aspak Bournemouthin, që po lufton për Evropën.
“Ata po luajnë për garat evropiane dhe nuk e di herën e fundit kur kanë humbur. Është një ekip i jashtëzakonshëm. Mënyra si bëjnë presion është ndoshta më energjikja në Ligën Premier”.
Bournemouth aktualisht ndodhet në vendin e gjashtë dhe i mjafton edhe një pikë nga dy ndeshjet e fundit për të siguruar futboll evropian për herë të parë në histori.
Guardiola pranoi edhe faktorët e lodhjes pas finales në Wembley, por nënvizoi se fitorja i ka dhënë skuadrës energji tjetër.
“Lodhja do të jetë e njëjtë, por energjia do të jetë ndryshe. Të shkoje në Bournemouth, po të kishim humbur ndaj Chelseat, do të ishte më e vështirë”.
Gjithçka mund të shkojë deri në ditën e fundit edhe për shkak të golavarazhit: City kanë +43, vetëm një më shumë se Arsenali (+42), ndaj çdo detaj mund të bëjë diferencën në garën për titull./Telegrafi/






