​Ekspozita ”Sy më sy”, viktimat e dhunës seksuale në luftë duan të trajtohen me respekt

Nacionale

Përmes skanimeve të irisit, portreteve dhe rrëfimeve personale, ekspozita “Sy më sy- Eye to Eye”, e hapur nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me Pro Peace Kosovo, solli para publikut historitë e grave dhe burrave që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por edhe të familjarëve […]

Madhësia e shkronjave

Përmes skanimeve të irisit, portreteve dhe rrëfimeve personale, ekspozita “Sy më sy- Eye to Eye”, e hapur nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me Pro Peace Kosovo, solli para publikut historitë e grave dhe burrave që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por edhe të familjarëve të tyre që për vite me radhë kanë bartur peshën e traumës dhe stigmës, që vazhdojnë të jenë të heshtur.

Mesazhi qendror i ekspozitës është thyerja e heshtjes, rikthimi i dinjitetit dhe njohja e vuajtjeve që vazhdojnë edhe dekada pas përfundimit të luftës.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, tha se emri i ekspozitës nuk është zgjedhur rastësisht, pasi synon të vendosë publikun përballë të vërtetës së dhimbshme të të mbijetuarve.

“Për Kosovën kjo ditë na rikthen në mijëra histori të grave dhe burrave që kanë përjetuar këtë krim gjatë luftës. E kemi emërtuar këtë ekspozitë “Sy më sy”, sepse shpeshherë kur duam t’i kërkojmë të vërtetën dikujt themi më shiko në sy. Përmes syve të kësaj ekspozite ne arrijmë të tregojmë dhimbjen që e shohim të të mbijetuarve të dhunës seksuale, edhe forcën, frikën e guximin.. Përmes skanimit të iriseve dhe rrëfimeve personale kjo ekspozitë sjellë pranë nesh histori njerëzore që kanë mbetur me vite të fshehura në heshtje. Në këtë ekspozitë shohim edhe portretin e grave dhe burrave që patën guximin e jashtëzakonshëm për të thyer heshtjen. Ata nuk folën për veten e tyre, ata u bënë zëri i mijërave zërave të tjerë që ende nuk e kanë gatishmërinë të flasim apo të kërkojnë drejtësi. Por sonte nuk i shohim vetëm sytë e të mbijetuarve, por edhe familjarëve të tyre. Në këtë ekspozitë duke sjellë sytë e familjarëve përçojmë mesazhin që mijëra familje kanë bashkëjetuar me traumën e të mbijetuarve, e kanë mbajtur edhe peshën e stigmës bashkërisht”, tha Rushiti.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se vuajtja e të mbijetuarve nuk përfundoi me luftën, por vazhdoi për vite të tëra përmes heshtjes, paragjykimit dhe stigmës.

Haxhiu tha se të mbijetuarat e të mbijetuarit janë përgjegjësi shtetërore.

Ajo bëri thirrje që të dhunuarat dhe të dhunuarit gjatë luftës së fundit në Kosovë të paraqiten për njohien e statusit.

“Këto rrëfime nuk flasin vetëm për periudhën e vështirë të luftës, por edhe për vitet pas saj që shumë të mbijetuar pikërisht vitet e pasluftës kanë qenë shumë të vështira. Dhimbjes iu shtua heshtja, mosbesimi, gjykimi e frika për të treguar. Për shumë të mbijetuara stigma ka qenë pjesë e rëndë e viteve të pasluftës. Një shoqëri që do drejtësi për personat e dhunuar gjatë luftës, duhet se pari t’i shohë me respekt dhe mirënjohje për forcën që kanë vazhduar jetën. Si U.D. e presidentes dua të them se personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës janë pjesë e historisë sonë dhe përgjegjësisë sonë shtetërore. Ata nuk mund të mbeten në skaj të kujtesës. Republika u ka borxh njohje, kujdes, drejtësi dhe jetë me dinjitet. Tashmë edhe kam bërë njoftimin që në objektet e Kuvendit dhe Presidencës, është një zyrë për mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës si hapësirë e sigurt për dëgjim dhe mbështetje. Bëj thirrje që personat e dhunuar gjatë luftës në Kosovë të aplikojnë për njohjen e statusit”, tha Haxhiu.

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, vlerësoi ekspozitën si një mundësi për t’u përballur drejtpërdrejt me përvojat e të mbijetuarve dhe për të kuptuar forcën e tyre.

“Përmes këtyre imazheve të jashtëzakonshme dhe dëshmive që qëndrojnë pas tyre, ne fjalë për fjalë vihemi ballë për ballë, sy më sy, me përvojat e jetuara të njerëzve pas syve dhe fytyrave që shohim. Dhe mendoj se është e qartë se sa shumë qëndrueshmëri dhe guxim shohim tek ata. Gjatë kohës sime këtu në Kosovë, kur kam pasur privilegjin të bisedoj me burra dhe gra të mbijetuara që kanë ndarë përvojat e tyre me kaq shumë guxim, forcë dhe dinjitet, gjithmonë kam dëgjuar të njëjtin mesazh të thjeshtë: ne duam të dëgjohemi, duam të njihemi dhe duam të trajtohemi me respekt…

Puna që ka bërë Kosova për adresimin e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin është vërtet mbresëlënëse dhe, siç e dimë, në shumë aspekte shërben si shembull për mbarë botën. Që nga themelimi i komisionit dhe mundësimi i pensioneve të financuara nga shteti e deri te përpjekjet e shumta për të siguruar njohje, mbështetje dhe dinjitet për të mbijetuarit, Kosova ka treguar përkushtim të jashtëzakonshëm në këtë drejtim”, tha ai.

Një nga elementet më të veçanta të ekspozitës janë skanimet e irisit të të mbijetuarve, të vendosura përkrah portreteve dhe historive të tyre personale. Sipas ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ato nuk janë vetëm vepra artistike, por dëshmi të gjalla të përballjes me krimin dhe traumën.

“Skanimet e irisit që po shohim këtu si dhe portretet nuk janë thjesht vepra arti, por janë skanime të syve dhe portrete të fytyrave që janë përballur sy më sy me autorët e krimeve ndaj tyre. Ato janë një homazh i fuqishëm dhe prekës për të mbijetuarit e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin. Janë dëshmi dhe kujtesë e vuajtjeve të heshtura që këta individë kanë përjetuar larg fushëbetejës, por që janë prekur thellësisht nga lufta. Çdo iris që shohim këtu është unik, ashtu siç është unike edhe çdo histori. Dhe unë mendoj se tregimi i historive të të mbijetuarve ka rëndësi. Ndarja e tyre ndihmon në zvogëlimin e stigmës, si në nivel individual, ashtu edhe në atë shoqëror… Është inkurajuese të shohësh atë që Kosova ka arritur gjatë viteve të fundit në nxjerrjen në dritë dhe njohjen e vuajtjeve të të mbijetuarve të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin. Përparimi i vërtetë nuk ka të bëjë vetëm me hulumtimin historik, por edhe me mbështetjen e të mbijetuarve sot dhe krijimin e një mjedisi të drejtë dhe pa stigma për të nesërmen”, tha ai.

Momenti më emocional ishte dëshmia e Venesa Sylejmanit, vajzës së të mbijetuares së dhunës seksuale gjatë luftës, Shyhrete Tahiri. Ajo foli për plagët e padukshme që trauma lë te fëmijët dhe familjet e të mbijetuarve, duke kërkuar që ata të mos shihen vetëm si viktima, por si zëra të ndryshimit.

“ Sot qëndroj para jush si një fëmijë i luftës, ashtu si në çdo ditë tjetër dhe në çdo ngjarje tjetër. Por sot qëndroj para jush dhe ju shoh përmes syve të një fëmije që dikur ishte i traumatizuar, i heshtur dhe i padëgjuar. Por tani, si një fëmijë që e ka shndërruar dhimbjen, traumën dhe vuajtjen e tij në diçka që nuk është më e heshtur, nuk është më e thyer, por që dëshiron të dëgjohet. Të jetë dikush që nuk fshihet pas kujtimeve që dikur e thyen, por të shihet përtej tyre, pavarësisht stigmës shoqërore dhe kulturore që ekziston këtu dhe madje edhe përtej këtu. Si mundemi ne, si shoqëri, si komunitet dhe si shtet, të ndalim heshtjen e fëmijëve dhe anëtarëve të familjeve që kanë qenë dëshmitarë të akteve kaq të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë, të cilat, duhet ta shtoj, kanë ndodhur para syve të tyre? Shoqëria duhet të ndalojë së vepruari sikur sytë e tyre nuk kanë qenë të pranishëm në ato momente, kur personi që pa ato akte u thye dhe u copëtua shpirtërisht. Ne duhet të fillojmë t’i shohim ata përmes një këndvështrimi që nuk i përkufizon vetëm si viktima apo si të mbijetuar, por si bartës të ndryshimit për të ardhmen që na nevojitet”, u shpreh ajo.