Një dron ukrainas me kapacitet të lartë bartës ka evakuuar një ushtar 54-vjeçar të plagosur, i cili kishte mbetur i bllokuar për 57 ditë në një pozicion në vijën e frontit, pasi kishte shkelur në një minë tokësore. Ky është operacioni i tretë i suksesshëm i evakuimit ajror të të plagosurve, i realizuar nga Regjimenti i 475-të Sulmues CODE 9.2 përmes sistemit StarGate, të zhvilluar në Ukrainë.
Sipas kompanisë ukrainase të prodhimit të dronëve SkyFall, operacioni u planifikua dhe u realizua në bashkëpunim me Regjimentin e 475-të Sulmues. Ushtari, i identifikuar si Andrii, me nofkën “Donbas”, u evakuua nga një pozicion që ndodhej vetëm dy kilometra larg kufirit me Rusinë.
Andrii ishte vendosur në atë pozicion që nga fundi i muajit maj, ndërsa ishte plagosur më 2 shtator gjatë një misioni luftarak. Për gati dy muaj, ai mbeti aty për shkak se rrugët e zakonshme të evakuimit ishin të paarritshme, transmeton Telegrafi.
Sulmet e dronëve rusë FPV, fushat e minuara, terreni i vështirë dhe bombardimet e vazhdueshme ua pamundësuan forcave ukrainase dërgimin e mjeteve tokësore për ta nxjerrë ushtarin nga zona.
Gjatë operacionit të shpëtimit, droni StarGate përshkoi më shumë se 15 kilometra në një drejtim për të marrë ushtarin e plagosur. Pas evakuimit, Andrii u transportua në spital për trajtim mjekësor.
⚡️🇺🇦 Air evacuation of wounded becomes systematic: CODE 9.2 rescued a soldier using a StarGate droneThe rescued soldier Andriy with the call sign “Donbas”, who was in position for 57 days due to a mine explosion.During the operation, CASEVAC StarGate drone covered more than 15 km in one direction and picked up the wounded soldier only two kilometers from the border with Russia. In total, in a week and a half, this technology was used to rescue three seriously wounded servicemen.
— MAKS 26 🇺🇦👀 (@Maks_NAFO_FELLA) November 2, 2026
SkyFall nuk bëri të ditur datën e saktë të operacionit, por konfirmoi se brenda rreth një jave e gjysmë, përmes sistemit StarGate, ishin shpëtuar gjithsej tre ushtarë ukrainas të plagosur rëndë.
StarGate është një dron i specializuar për evakuimin e të plagosurve, i njohur si platformë CASEVAC. Ai u zhvillua nga kompania SkyFall pas një kërkese të komandantit të Regjimentit të 475-të Sulmues.
Sipas prodhuesit, droni mund të bartë ngarkesa deri në 150 kilogramë dhe të arrijë shpejtësi deri në 105 kilometra në orë. Hapësira e posaçme për evakuim është e pajisur me një barelë mjekësore për transportimin e ushtarëve të plagosur.
Kompania thotë se droni përdor inteligjencë artificiale, sisteme navigimi dhe komunikime rezervë, duke mundësuar vazhdimin e operacioneve edhe kur sinjali GPS bllokohet ose ndërpritet lidhja me operatorët.
Ky operacion vjen pas dy evakuimeve të tjera të realizuara nga i njëjti regjiment me dronin StarGate. Në ato raste u shpëtuan dy ushtarë ukrainas: 25-vjeçari Yevhen, me nofkën “Izium”, dhe 24-vjeçari Artem, i njohur si “Kolobok”.
Të dy kishin pësuar plagë të rënda në gjymtyrë dhe kishin mbetur të bllokuar në një zonë të kontestuar të frontit, rreth pesë kilometra larg kufirit me Rusinë. /Telegrafi/