Ballina AKTUALE Ditë e bardhë për Shqiptarët e urragan i zi për Beogradin nga...

Ditë e bardhë për Shqiptarët e urragan i zi për Beogradin nga Capitol Hill

9

Sot, nga Capitol Hill në Washington, u dëgjua zëri i Luginës së Preshevës. Jo si thirrje e vetmuar, por si qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA u miratua (marked up) rezoluta H.R. 6411, e iniciuar nga Kongresisti Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, mbi të drejtat etnike e kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Me përkrahjen dypartiake të Kryetarit Brian Mast dhe Nënkryetarit Gregory Meeks, kjo rezolutë tashmë ka bekimin e Komitetit dhe pritet shumë shpejt të aprovohet nga vetë Kongresi.

Kjo është histori; Histori e shkruar me durim, këmbëngulje dhe besim – që nga viti 2001 nën lidershipin e palëkundur të Joe dhe Shirley DioGuardi (Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane), e deri te puna e pandalshme e bashkëkombësve tanë në Texas, nën udhëheqjen e @AlbaniansForAmerica. Një betejë e gjatë, e drejtë, dhe sot fitimtare.

Tash, SHBA do të kërkojë përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginë. Sot është ditë e bardhë për shqiptarët dhe një sinjal i qartë për çdo regjim që mendon se padrejtësia mund të zgjasë pafund.

Në përvjetorin e shkuarjes në amshim të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nuk ka nderim më të madh se sa ta shndërrojmë vizionin e tij në veprim konkret. Rugova nuk ishte fjalë. Ishte rrugë. Ishte orientim. Ishte besim në aleancën me Amerikën dhe në forcën morale të kauzës sonë.

Shumë flasin për rugovizëm. Por rugovizmi nuk shpallet – jetohet. Nuk promovohet me fjalë – dëshmohet me vepra.

Marrëdhënia jonë me Shtetet e Bashkuara është e pazëvendësueshme. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë ogur i mirë për gjithë kombin shqiptar. Tani, është koha që kjo liri të shtrihet edhe te vëllezërit e motrat tona në Luginën e Preshevës.

Bashkë do ta bëjmë.
Nuk ndalemi. Nuk dorëzohemi.

Zoti e bekoftë Amerikën.
Zoti e bekoftë popullin shqiptar.