Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve për shërbyesit civilë të dalluar, të organizuar nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Publik, që shënohet më 23 Qershor.
Në njoftimin për media thuhet se në fjalën hyrëse, kryeministri në detyrë Kurti, theksoi rëndësinë e shërbimit dhe shërbyesve publikë, duke theksuar se administrata është fytyra e Republikës karshi qytetarit dhe përjetimi i qytetarit për shtetin.
“Shpesh, kur flasim për shtetin, mendojmë për ligje dhe politikanë, për ndërtesa qendrore, për vendime e procedura, për buxhete dhe strategji. Por, qytetari nuk e takon shtetin si një nocion abstrakt. Qytetari e takon shtetin përmes njeriut që i shërben: pra nëpërmjet zyrtarit që e dëgjon, mësuesit që edukon, mjekut dhe infermieres që kujdesen, policit i cili ruan rendin, inspektorit që mbron sigurinë dhe cilësinë, si dhe nëpunësit që i jep një përgjigje të drejtë, të qartë e me kohë”, tha ai. /Telegrafi/






