Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, së bashku me kryetarin e Kuvendit Komunal, Driton Rexhepi, dhe Levent Qazimin, janë pritur sot në Tiranë nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Gjatë takimit, palët zhvilluan një bisedë të hapur dhe përmbajtësore për çështjet me interes për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke diskutuar sfidat aktuale dhe mundësitë për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Përfaqësuesit e Komunës së Bujanocit shprehën mirënjohje për angazhimin e diplomacisë shqiptare në ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve të Luginës, si dhe për rritjen e prezencës institucionale të Republikës së Shqipërisë në rajon, veçanërisht përmes Ambasadës së Shqipërisë në Beograd.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte iniciativa për hapjen e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Bujanoc. Delegacioni informoi ministrin Hoxha për komunikimet dhe angazhimet e deritanishme me institucionet e Serbisë lidhur me këtë proces, i cili konsiderohet me rëndësi të veçantë për qytetarët shqiptarë të Luginës.
Në takim u bisedua edhe për projektet zhvillimore që po realizohen në komunë, si dhe për mundësitë e mbështetjes së projekteve të reja nga institucionet shqiptare.
Vëmendje e veçantë iu kushtua fëmijëve me nevoja të veçanta, ku sipas njoftimit, është siguruar mbështetje për financimin e një projekti që synon përmirësimin e kushteve dhe shërbimeve për këtë kategori.
Po ashtu, u diskutuan temat që lidhen me pasivizimin e adresave, integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore të Serbisë, si dhe nevoja për koordinim më të madh institucional në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës.
Ministri Ferit Hoxha ka ritheksuar përkushtimin e Republikës së Shqipërisë për të ngritur këto çështje në komunikimet me partnerët ndërkombëtarë dhe në forumet relevante diplomatike.
Takimi në Tiranë u vlerësua si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shqiptare dhe përfaqësuesve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës./BujanociNet/





