Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës e profesori i ekonomisë, Berim Ramosaj, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demoratike të Kosovës, duke thënë se pakënaqësitë në parti nuk janë të reja, por janë grumbulluar për një periudhë të gjatë kohore.
Në një diskutim në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Ramosaj ka folur për iniciativën për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, të ardhmen e kryetarit Lumir Abdixhiku dhe përplasjet politike ndërmjet grupeve brenda partisë.
Ramosaj ka thënë se është i befasuar që çështja e votëbesimit ndaj Abdixhikut është rikthyer vetëm pak muaj pasi ai mori mbështetjen e delegatëve të partisë.
Sipas tij, në një organizim politik serioz, një periudhë kaq e shkurtër ndërmjet dy votëbesimeve nuk është e zakonshme.
“Kur një udhëheqje ose një lider politik merr njëherë votëbesimin, nuk do të duhej që koha të ishte kaq e shkurtër për një votëbesim të dytë”, ka deklaruar Ramosaj shkruan Telegrafi.
Ai ka përmendur edhe faktin se LDK-ja në zgjedhjet e fundit ka fituar më shumë mandate, duke shtuar se rezultatet aktuale nuk janë në nivelin më të ulët që partia ka pasur gjatë viteve të fundit.
Megjithatë, Ramosaj ka pranuar se pakënaqësitë brenda partisë ekzistojnë dhe se ato nuk janë krijuar vetëm pas zgjedhjeve të fundit.
“Ka padyshim pakënaqësi të individëve të caktuar, por ato nuk janë të momentit. Ato janë grumbulluar nga një periudhë relativisht e gjatë kohore”, ka thënë ai.
Sipas Ramosajt, pyetja kryesore është nëse këto pakënaqësi duhet të shpërfaqen pikërisht në momentin kur LDK-ja ishte përfshirë në diskutime për krijimin e institucioneve dhe për një marrëveshje të mundshme politike.
Ai ka vlerësuar se qasja e LDK-së për të marrë pjesë në ndërtimin e institucioneve ka qenë racionale dhe se interesat e brendshme partiake nuk duhet ta pengojnë këtë proces.
Berim Ramosaj në “Përballje Podcast me kryedaktorin e Telegrafit, Muhamet HajrullahuFoto: Ridvan Slivova
Ramosaj ka deklaruar se edhe grupi që po kërkon ndryshime në udhëheqje mund të ketë synime të mira për një LDK më të fuqishme dhe më bashkëpunuese, por ka vënë në pikëpyetje momentin e zgjedhur për këtë iniciativë.
“Vullneti i tyre mund të jetë i mirë për një LDK më të fuqishme dhe më të avancuar, por momentumi politik është shumë i rëndësishëm”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se kërkesa për rishikimin e lidershipit në këtë fazë mund ta dëmtojë mundësinë për marrëveshje politike dhe mund ta rikthejë LDK-në në pozicione të ngurta opozitare.
“Opozitarizmi në dëm të institucioneve të Kosovës nuk do të duhej të bëhej”, ka deklaruar Ramosaj.
Duke folur për përgjegjësinë brenda LDK-së, Ramosaj ka thënë se udhëheqja aktuale ka gabime, përfshirë mungesën e bashkëpunimit dhe atë që ai e përshkroi si një formë të “narcizmit grupor ose individual”.
Megjithatë, ai ka theksuar se edhe disa prej figurave që sot kërkojnë ndryshime kanë qenë pjesë e udhëheqjes së LDK-së në periudhën kur partia ka pësuar rënien më të madhe.
Sipas tij, ish-krerët dhe ish-zyrtarët e lartë nuk mund ta shmangin përgjegjësinë për rezultatet e kaluara dhe të paraqiten sot vetëm si alternativë ndaj udhëheqjes aktuale.
“Ata që kanë qenë akterë të fuqishëm në rënien e LDK-së nuk mund të kërkojnë justifikime të momentit”, ka thënë Ramosaj.
Ai ka përmendur në këtë kontekst edhe ish-kryeministrin Avdullah Hoti dhe ish-ministrin Agim Veliu, duke thënë se kanë përgjegjësi të madhe për rënien e partisë në atë periudhë.
Ramosaj ka deklaruar se ndryshimi i strukturës udhëheqëse nuk garanton domosdoshmërisht rezultate më të mira dhe se LDK-ja mund të përfundojë edhe me rezultat më të dobët.
Ai ka kërkuar që partia të zhvillojë një analizë të thellë të rezultateve, të identifikojë problemet e brendshme dhe të vlerësojë me kujdes nëse ndryshimet mund ta forcojnë apo dobësojnë më tej LDK-në.
“Sikur ta shihja se largimi i këtij lidershipi do të prodhonte efekte pozitive për ndërtimin e institucioneve, do ta përkrahja. Por nuk e shoh në horizont se rrëzimi i kësaj udhëheqjeje do ta prodhonte një rezultat të tillë”, ka deklaruar Ramosaj.
Ai ka kërkuar nga grupet brenda LDK-së që për një periudhë ta lënë mënjanë interesin militant dhe grupor dhe të fokusohen në ndërtimin e institucioneve të vendit.
Sipas Ramosajt, LDK-ja duhet t’i ruajë tiparet e saj institucionaliste dhe të mos lejojë që përplasjet e brendshme ta dëmtojnë rolin e saj politik.
Diskutimin e plotë me profesorin Berim Ramosaj mund ta ndiqni në “Përballje Podcast, në Telegrafi dhe në kanalin zyrtar të Telegrafit në Youtube./Telegrafi/.






