Breznicë – Shënohet 23-vjetori i rënies së dy dëshmorëve

Sot në fshatin Breznicë u përkujtua me nderime të larta 23-vjetori i rënies heroike të dëshmorëve Shaban R. Bajrami dhe Besim B. Xhemaili, të cilët sakrifikuan jetën për idealin e lirisë dhe bashkimit kombëtar.
Edhe pse vitet kalojnë, dhimbja dhe malli mbeten të gjalla, por mbi të gjitha mbizotëron krenaria për veprën dhe sakrificën e tyre. Liria nuk ka çmim – ajo fitohet me sakrificë, ashtu siç e dëshmuan Shabani dhe Besimi.
Në këtë përvjetor, fjalë rasti mbajti kryetari i OVL-së së UÇPMB-së, Bejtullah Bejtullahu, i cili nderoi dhe vlerësoi lart figurën e dy dëshmorëve. Ndërsa kryetari i LPD-së, Shqiprim Musliu, theksoi rëndësinë e respektimit dhe kujtimit të përhershëm të sakrificës së tyre.
Gjatë ceremonisë u vendosën edhe kurora lulesh nga familjet Bajrami dhe Xhemaili, përfaqësues të OVL-së, LPD-së, veteranë të luftës dhe qytetarë të shumtë.