Blerta Deliu Kodra: Zgjedhja e presidentit është detyrim i shumicës, u preferua tensioni politik në vend të konsensusit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje pasi që kjo parti më herët njoftoi se do ta propozojnë Glauk Konjufcën për president.
Kodra ka thënë se është ‘’preferuar tensioni politik’’ në vend që të ndërtohej konsensusi.
‘’Kriza aktuale nuk është pasojë e mungesës së opsioneve, por e mungesës së vullnetit politik. Në vend që të ndërtohej konsensus për çështje kyçe si zgjedhja e presidentit, u preferua tensioni politik. Kjo tregon një qasje ku përplasja shihet si mjet për konsolidim pushteti’’, ka thënë ajo.
Deliu Kodra ka thënë edhe se, zgjedhja e presidentit të vendit është ‘’detyrim kushtetues i shumicës që i ka numrat’’.
‘’Cikli i ri i krizave e stagnon Kosovën. Zgjedhja e Presidentit nuk është test për opozitën. Është detyrim kushtetues i shumicës që qeveris dhe që i ka numrat’’, ka thënë ajo. /Express