Norvegjia dhe Anglia kanë shkuar në pushimin mes pjesëve në barazim 1-1, pas një pjese të parë shumë interesante në çerekfinalen e Kampionatit Botëror, ku të dyja skuadrat patën momentet e tyre.
Ndeshja nisi me një ritëm të kujdesshëm, me Anglinë që mbajti më shumë topin në minutat e para, por pa arritur të krijojë raste të pastra shënimi.
Rasti i parë serioz për anglezët erdhi në minutën e 19-të, kur Jude Bellingham u ngrit më së larti pas një harkimi në zonë, por goditja e tij me kokë përfundoi jashtë portës.
Me kalimin e minutave, Norvegjia mori kontrollin e lojës dhe filloi të rrezikonte më shpesh. Në minutën e 35-të, Erling Haaland ishte shumë pranë golit, por Jordan Pickford bëri një pritje spektakolare, duke ndalur goditjen me kokë të sulmuesit norvegjez nga afërsia.
Presioni i skandinavëve dha rezultat vetëm një minutë më vonë. Martin Odegaard shërbeu një asistim të shkëlqyer për Andreas Schjelderup, i cili kontrolloi topin dhe lëshoi një goditje të fuqishme nga jashtë zonës. Topi u përplas në shtyllë dhe përfundoi në rrjetë për epërsinë 1-0.
Fillimisht, goli u vu në dyshim pasi gjyqtari Clement Turpin u thirr nga VAR-i për të verifikuar një faull të mundshëm në aksionin paraprak. Pas rishikimit të pamjeve, gjyqtari vendosi ta pranojë golin, duke konfirmuar avantazhin e Norvegjisë.
Skuadra e Ståle Solbakken vazhdoi të sulmonte dhe ishte shumë pranë golit të dytë në minutën e 39-të, kur Alexander Sorloth provoi me një goditje të fortë nga distanca, por topi kaloi fare pranë traversës.
Kur dukej se Norvegjia do të shkonte në pushim me epërsi, Anglia reagoi në kohën shtesë. Në minutat shtesë, Anthony Gordon dha një asistim të zgjuar për Jude Bellingham, i cili me një goditje të menjëhershme e dërgoi topin në këndin e poshtëm të djathtë të portës, duke barazuar rezultatin në 1-1.
Kështu, pas një pjese të parë të luftuar dhe me raste në të dyja portat, skuadrat shkojnë në pushim me rezultatin e barabartë./Telegrafi/






