Gjiganti gjerman, Bayern Munich ka nisur të monitorojë nga afër mbrojtësin 25-vjeçar të Interit, Yann Bisscek ndërsa klubi italian ka vendosur një çmim të lartë për të.
Bayern Munich ka shfaqur interesim për Yann Bisseck, me mbrojtësin gjerman të Interit që është futur në listën e objektivave të kampionit gjerman.
Sipas gazetarit të njohur Ekrem Konur, tashmë janë zhvilluar kontakte joformale mes palëve, ndërsa Interi e ka bërë të qartë se do të kërkonte 70 deri në 80 milionë euro për ta lënë të lirë 25-vjeçarin.
Kjo shumë konsiderohet e lartë nga Bayern Munich, i cili për momentin nuk është i bindur për të paguar një shifër të tillë për Bisseck.
Megjithatë, Bayern nuk është klubi i vetëm që po e monitoron situatën. Disa klube të Ligës Premier kanë shfaqur gjithashtu interesim për mbrojtësin, duke e bërë garën për shërbimet e tij edhe më interesante.
Bisseck ka kontratë afatgjatë me Interin dhe vazhdon të konsiderohet një nga investimet e rëndësishme të klubit zikaltër për të ardhmen. /Telegrafi/






