Barcelona në bisedime për transferimin e Haaland? Agjenti i lojtarit zbulon të vërtetën

Agjentja e Erling Haaland, Rafaela Pimenta, ka reaguar publikisht ndaj spekulimeve të vazhdueshme që e lidhin sulmuesin norvegjez me një transferim të mundshëm te Barcelona.

Në një intervistë për mediumin spanjoll El Chiringuito, Pimenta u përpoq të qartësonte situatën, duke theksuar se deri më tani nuk ka pasur asnjë kontakt mes palëve për një marrëveshje të mundshme.

Ajo shtoi se, pavarësisht respektit që Haaland dhe ekipi i tij kanë për klubin katalanas, nuk ekziston asnjë negociatë apo diskutim konkret.

“Shpesh kam thënë se kemi shumë respekt dhe admirim për Barcelonën, por nuk ka pasur asnjë kontakt, as me Erling Haalandin dhe as me drejtuesit e Barcelonës, në lidhje me ndonjë objektiv të mundshëm transferimi”, deklaroi ajo.

Spekulimet për një kalim të mundshëm të Haalandit në “Camp Nou” janë shtuar së fundmi, veçanërisht pas deklaratave të kandidatit për president të Barcelonës, Victor Font, i cili ka pohuar se do të përpiqet ta transferojë yllin norvegjez nëse fiton zgjedhjet në klub.

Megjithatë, Pimenta e bëri të qartë se aktualisht nuk ka asgjë konkrete për të diskutuar, duke theksuar se lojtari është plotësisht i përqendruar te klubi i tij aktual, Manchester City.