Barcelona po hedh hapa të vendosur drejt transferimit të Gabriel Jesus.
Pas arritjes së marrëveshjes me Arsenalin për transferimin e sulmuesit brazilian për shumën e 10 milionë eurove, klubi katalanas ka vendosur të ndryshojë edhe strukturën e kontratës së tij.
Sipas raportimit të SPORT, Barcelona ka modifikuar kushtet e dakordësuara fillimisht me 29-vjeçarin, duke i ofruar një kontratë trevjeçare fikse, në vend të formulës së parë prej dy vitesh me mundësi vazhdimi edhe për një sezon.

Gabriel Jesus mbërriti në Barcelonë pasi nuk bënte më pjesë në planet e trajnerit të Arsenalit, Mikel Arteta, ndërsa në kontratën e tij me klubin anglez kishte mbetur edhe një vit.
Me të mbërritur në aeroportin “El Prat”, braziliani u shpreh optimist për gjendjen e tij fizike, duke deklaruar se “gjuri im është perfekt”.
Sulmuesi ka lënë pas dëmtimin e rëndë që e mbajti jashtë fushave për 11 muaj gjatë vitit 2025 dhe tani synon të rikthehet gradualisht në ritmin e konkurrimit.
Transferimi i Gabriel Jesus vjen në kuadër të planit të Barcelonës për të forcuar repartin ofensiv dhe për të pasur një pikë referimi të re në sulm.
Braziliani pritet të ndajë përgjegjësitë në fazën ofensive me talentin e ri Hamsa Abdelkarim dhe Raphinha.
Jesus pritet të mbajë fanellën me numrin 9, ndërsa sipas SPORT, ai do t’i bashkohet menjëherë stërvitjeve të grupit për të nisur përgatitjet fizike.
Stafi teknik synon që rikthimi i tij të bëhet në mënyrë progresive, pa e nxituar procesin, duke i dhënë kohë për t’u përshtatur me skuadrën dhe ritmin e futbollit në Barcelonë. /Telegrafi/





