Një balonë turistike me ajër të nxehtë u përfshi nga zjarri dhe u rrëzua në shtetin jugor të Santa Catarina, në Praia Grande, duke shkaktuar vdekjen e 8 personave dhe plagosjen e 13 të tjerëve. Në balonë ndodheshin gjithsej 21 persona, përfshirë pilotin.
Sipas autoriteteve, zjarri shpërtheu në koshin e balonës gjatë fluturimit. Piloti tentoi të kryente një ulje emergjente dhe disa pasagjerë arritën të hidhen kur balona iu afrua tokës.
Megjithatë, pas daljes së tyre, balona u ngrit sërish për shkak të peshës më të vogël, ndërsa personat e mbetur nuk arritën të shpëtonin.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë balonën të mbuluar nga flakët dhe tymi përpara se të rrëzohej. Disa persona u panë duke rënë ose duke u hedhur nga balona në përpjekje për t’i shpëtuar zjarrit.
Autoritetet braziliane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit. Sipas dëshmisë fillestare të pilotit, zjarri mund të ketë nisur nga një pishtar rezervë që ndodhej në koshin e balonës.
Presidenti i Brazil, Luiz Inácio Lula da Silva, dhe guvernatori i shtetit, Jorginho Mello, shprehën ngushëllimet e tyre për familjet e viktimave dhe premtuan mbështetje për operacionet e shpëtimit dhe hetimit. /Telegrafi/






