Mesfushori i Real Madridit, Aurelien Tchouameni, ka folur për herë të parë rreth incidentit me Federico Valverden në qendrën stërvitore të klubit në Valdebebas, duke mohuar se e kishte goditur me grusht bashkëlojtarin e tij.
Ngjarja bëri bujë në media, pasi u raportua se Valverde përfundoi në spital dhe iu nënshtrua trajtimit me qepje në kokë, ndërsa të dy lojtarët u gjobitën nga klubi për shkelje disiplinore.
Pas deklaratës së Valverdes disa ditë më parë, tani ka reaguar edhe reprezentuesi francez, i cili këmbëngul se shumë prej raportimeve nuk ishin të vërteta.
“Natyrisht, ndodhën disa gjëra dhe ju i patë e i dëgjuat në media. U ekzagjeruan sepse u bënë lajm dhe kur luan për Real Madridin, kjo krijon një reagim të madh”.
“Në media u thanë shumë gjëra pa kuptim. Lexova se kishte pasur një përleshje dhe se e kisha goditur me grusht… Nuk ishte kështu. Nuk do të hyj në më shumë detaje”, deklaroi Tchouameni.
Francezi shtoi se çështja është zgjidhur brenda klubit dhe se marrëdhënia mes tij dhe Valverdes është normale.
“Gjëja më e rëndësishme është se klubi ishte në dijeni të asaj që ndodhi. Ka shumë gjëra që ndodhin në dhomën e zhveshjes dhe nuk dalin në media. Jeta vazhdon”.
“Unë dhe Fede kemi një objektiv të përbashkët: të fitojmë trofe me Real Madridin. Nuk ka probleme. Dhe nëse përballemi në Kupën e Botës, secili do të bëjë maksimumin për kombëtaren e tij. Në nivel personal, tani nuk ka asnjë problem me Valverden”, përfundoi ai.
Sipas raportimeve, drejtuesit e Real Madridit ishin më të shqetësuar nga fakti që incidenti u zbulua në media sesa nga vetë përplasja mes dy futbollistëve./Telegrafi/






