Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi të pranojë njohjen e vendimit nga burgim I përjetshëm në 35 vite dënim për Eugert Merizajn, një 35 vjeçar, i cili në mungesë të rekursit të prokurorisë do të transferohet si i burgosur në Shqipëri.
Pasi apeli u vu në lëvizje nga britanikët që kundërshtuan njohjen me 32 vite burgim të Merizaj, në këtë vendim të zbardhur gjatë javës gjykata e shkallës së dytë shprehet se ky dënim nga gjykata e Fierit nuk përputhet me marrëveshjen dy palëshe që i hap rrugë transferimit.

Siç rezulton në shkresa pakënaqësia e britanikëve lidhej me mënyrën si po llogaritej burgosja. Sipas britanikëve që i janë përmes ambasadës i drejtuar ministrisë së drejtësisë kjo gjë mund të sillte në Shqipëri lirimin e mëvonshëm të vrasësit dhe me këtë argument kanë kërkuar apelimin.
Duke pranuar shqetësimin e tyre, gjykata e apelit vëren gjithsesi se mungesa e një qëndrimi të unifikuar institucional rrezikon të mos i shërbejë qëllimit që është bashkëpunimi ndërkombëtar. Në vendim thuhet se i burgosuri Merizaj, i kthyer në një personazh TikToku e po aq edhe mediatik, u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen Hemawand Ali hyssein krim i ndodhur për influenca droge. Megjithëse nuk identifikohet si personi që e qëlloi viktimën me çifte, Merizaj u angazhua në një takim tetë ditë para krimit dhe më pas ekspozohet për blerjen e një sopate dhe litarëve që i transportoi në vendngjarje.
Gjykata thotë se në krim morën pjese tete persona ndërsa si bashkëpunëtorë shfaqen Noza Safari, Qazim Marku dhe Dorian Prija të dënuar për vrasje me paramendim.
Njohja e dënimit të Merizaj u krye në bazë të marrëveshjes dy palëshe që ka sjellë dhjetëra shqiptarë nga Britania e Madhe në Shqipëri.
Nga nënshkrimi i marrëveshjes për të transferuar të dënuarit shqiptarë llogaritet të sillen afro 200 të burgosur, për të cilët mbas dhënies së pëlqimit janë hapur procese gjyqësore për njohjen e dënimit.





