Ambasada e Kosovës në Riad: Po kërkohen listat e shtetasve për pajisje me viza emergjente për kthim në vendet e tyre

Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite ka njoftuar sot një masë të re për të lehtësuar hyrjen e shtetasve të huaj nga vendet fqinje në territorin e Mbretërisë, me qëllim që ata të mund të largohen drejt vendeve të tyre të origjinës, për shkak të situatës që po mbizotëron në Lindjen e Mesme.
Sipas njoftimit nga Ambasada e Kosovës në Riad, Ministria Saudite pret që autoritetet përkatëse të dorëzojnë një listë me emrat e shtetasve, të shoqëruar me të dhënat e pasaportave dhe destinacionet e tyre të udhëtimit.
“Lista duhet të përfshijë edhe informacion mbi shtetin nga i cili vijnë udhëtarët, si për shembull nga Kuvajti, Bahreini, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omani.Kjo procedurë synon të mundësojë pajisjen me viza saudite për hyrje emergjente, duke përshpejtuar procesin e tranzitit dhe kthimit të shtetasve në vendet e tyre”, thuhet në njoftim.
Për koordinim dhe dorëzim të të dhënave, palët e interesuara mund të kontaktojnë në adresën elektronike: [email protected]