Deputetja amerikane Alexandria Ocasio-Cortez ka bërë të ditur se ka vendosur të ngrijë vezët e saj, me qëllim që të ketë “më shumë kontroll mbi jetën e saj”.
36-vjeçarja e njoftoi vendimin përmes rrjeteve sociale të shtunën. Ocasio-Cortez nuk ka treguar nëse planifikon të ketë fëmijë, por ka bërë të ditur se kishte kursyer para për t’iu nënshtruar kësaj procedure.
Ngrirja e vezëve, e njohur në terma mjekësorë si ruajtja e oociteve, është një nga mënyrat që mund t’i japë një gruaje më shumë kohë për të planifikuar shtatzëninë. Procedura përfshin marrjen e vezëve nga vezoret dhe ruajtjen e tyre deri në momentin kur gruaja vendos t’i përdorë për të tentuar një shtatzëni.
Kjo procedurë është bërë dukshëm më e përhapur gjatë dekadës së fundit, ndërsa teknikat mjekësore janë përmirësuar dhe gjithnjë e më shumë gra kanë zgjedhur ta shtyjnë shtatzëninë.
Ocasio-Cortez, demokrate nga Nju Jorku, është pjesë e një grupi figurash të njohura që kanë folur publikisht për vendimin për të ngrirë vezët, mes tyre Kourtney Kardashian, Rebel Wilson dhe Florence Pugh.
Ngrirja e vezëve është më efektive kur kryhet në të 20-at ose në fillim të të 30-ave, periudhë gjatë së cilës një grua zakonisht ka një numër më të madh vezësh të shëndetshme.
“Përgjigjja është zakonisht: sa më e re, aq më mirë”, tha Dr. Pardis Hosseinzadeh, profesoreshë e asociuar e gjinekologjisë dhe obstetrikës në Johns Hopkins Medicine.
Sipas saj, gratë që i nënshtrohen procedurës para moshës 35-vjeçare zakonisht kanë rezultate më të mira sa i përket cilësisë dhe numrit të vezëve të marra. Me kalimin e moshës, bien si numri, ashtu edhe cilësia e tyre.
Ndryshe nga burrat, të cilët prodhojnë spermatozoide të reja gjatë gjithë jetës, gratë lindin me numrin e vezëve që do të kenë gjatë jetës. Me kalimin e viteve, si numri, ashtu edhe cilësia e tyre fillojnë të ulen.
Një vajzë lind zakonisht me rreth 1 deri në 2 milionë vezë. Numri i tyre fillon të bjerë edhe para pubertetit dhe vazhdon të zvogëlohet pas tij.
Faktorë të ndryshëm, përfshirë duhanpirjen dhe përdorimin e disa medikamenteve, mund të ndikojnë gjithashtu në rezervën ovariane.
Rreth moshës 30-vjeçare, një grua mund të ketë rreth 70 mijë vezë, ndërsa në moshën 40-vjeçare ky numër mund të jetë rreth 18 mijë. Pas moshës 40-vjeçare, një pjesë e konsiderueshme e vezëve mund të kenë anomali kromozomale dhe të kenë më pak gjasa të çojnë në një shtatzëni.
Në menopauzë, e cila zakonisht ndodh mes moshës 45 dhe 55 vjeç, vezët e mbetura nuk janë më pjellore.
Një grua që dëshiron të ngrijë vezët fillimisht i nënshtrohet një ekzaminimi mjekësor për të përcaktuar nëse është kandidate e përshtatshme për procedurën.
Mjeku shqyrton historinë mjekësore, kërkon analiza të gjakut dhe të hormoneve dhe kryen një ekografi transvaginale për të vlerësuar rezervën ovariane.
Një kandidate më pak e përshtatshme mund të jetë një grua me numër shumë të ulët vezësh, probleme shëndetësore të pakontrolluara ose lloje të caktuara të kancerit të ndjeshëm ndaj hormoneve.
Nëse gruaja është e përshtatshme për procedurën, mjeku përshkruan terapi hormonale, kryesisht në varësi të moshës dhe rezervës së vezëve. Injeksionet zakonisht merren për rreth dy javë dhe synojnë të stimulojnë vezoret që të prodhojnë sa më shumë vezë të shëndetshme.
Barnat përfshijnë medikamente që stimulojnë folikujt, si Gonal-F dhe Follistim. Folikujt janë struktura të vogla të mbushura me lëng brenda vezoreve, ku zhvillohet nga një vezë e papjekur.
Gjatë kësaj periudhe, analizat e rregullta të gjakut dhe ekografitë ndihmojnë mjekët të ndjekin zhvillimin e vezëve dhe të përcaktojnë momentin kur ato janë të pjekura.
Rreth 36 orë para marrjes së vezëve, pacientja merr një injeksion të posaçëm për të nxitur fazën përfundimtare të maturimit të tyre.
Marrja e vezëve kryhet përmes një procedure ambulatore të drejtuar me ekografi, zakonisht nën anestezi. Procedura zgjat rreth 10 deri në 30 minuta dhe shumica e grave mund t’u rikthehen aktiviteteve të zakonshme, përfshirë punën, që të nesërmen.
Pas marrjes, një embriolog kontrollon nëse vezët janë mjaftueshëm të pjekura për t’u fekonduar në të ardhmen. Më pas ato i nënshtrohen procesit të vitrifikimit, një metodë e ngrirjes së shpejtë që përdor azot të lëngshëm.
Vezët ruhen në këtë gjendje deri në momentin kur pacientja vendos t’i përdorë.
Për shkak se ngrirja e vezëve është një procedurë relativisht e re, nuk dihet me siguri absolute se sa gjatë mund të ruhen ato.
Megjithatë, besohet se mund të ruhen për dekada.
Ruajtja në azot të lëngshëm ndalon aktivitetin qelizor, ndaj vezët nuk pritet të degradojnë me kalimin e kohës.
Injeksionet hormonale mund të shkaktojnë shqetësime, por efektet anësore zakonisht janë të lehta.
Disa gra mund të përjetojnë ndryshime të humorit, dhimbje koke, të përziera ose afshe të nxehta. Këto simptoma zakonisht largohen pasi ndërpritet terapia hormonale.
Në raste jashtëzakonisht të rralla, injeksionet mund të shkaktojnë një gjendje të njohur si sindroma e hiperstimulimit të vezoreve. Në këto raste, vezoret mund të fryhen dhe lëngjet mund të grumbullohen në abdomen.
Rastet e lehta mund të trajtohen me pushim, lëngje dhe elektrolite, ndërsa rastet më të rënda mund të kërkojnë hospitalizim dhe trajtim mjekësor.
Disa kompani të mëdha të teknologjisë, përfshirë Meta dhe Apple, e kanë ofruar ngrirjen e vezëve si një nga përfitimet për punonjësit.
Megjithatë, shumica e sigurimeve shëndetësore nuk e mbulojnë këtë procedurë nëse ajo kryhet me zgjedhje personale dhe jo për arsye mjekësore, si për shembull para trajtimeve të kancerit që mund të dëmtojnë ose shkatërrojnë vezët.
Një sondazh i vitit 2024 me kompani të mëdha tregoi se rreth 21 për qind e tyre mbulonin ngrirjen e vezëve për arsye jo mjekësore.
Edhe Ocasio-Cortez tha se i është dashur të kursejë para për procedurën, pasi sigurimi i saj nuk e mbulon atë.
Çmimet ndryshojnë, por mund të arrijnë në mijëra dollarë.
“Si një vlerësim të përafërt, do të thosha se kushton rreth 10 mijë deri në 15 mijë dollarë”, tha Dr. Jen Eaton, presidente e Society for Assisted Reproductive Technology.
Ruajtja e vezëve zakonisht paguhet veçmas dhe mund të kushtojë deri në rreth 1 mijë dollarë në vit, në varësi të klinikës dhe institucionit ku ruhen.
Këto kosto nuk përfshijnë trajtimin e fertilizimit in vitro nëse pacientja vendos t’i përdorë vezët në të ardhmen.
Ngrirja e vezëve mund t’u japë grave më shumë fleksibilitet dhe kontroll mbi planifikimin e tyre riprodhues.
Gratë vendosin ta bëjnë këtë për shumë arsye. Disa duan të përfundojnë studimet, të arrijnë një stabilitet më të madh financiar ose të avancojnë në karrierë përpara se të kenë fëmijë.
“Shpesh ato nuk kanë plane të menjëhershme për të pasur fëmijë, por kanë një dëshirë të fortë ose një ëndërr për t’u bërë nëna. Kjo mund t’i rëndojë ndërsa janë duke ndjekur karrierën, arsimin ose ndërsa nuk kanë gjetur partnerin e duhur”, shpjegoi Hosseinzadeh.
Sipas saj, disa gra nuk duan që frika nga ulja e fertilitetit t’i shtyjë drejt një marrëdhënieje që nuk është e duhura për to.
Një studim i vitit 2026 i National Science Foundation foli për atë që studiuesit e kanë quajtur një “boshllëk në gjetjen e partnerit”.
Në një koment mbi këtë studim, antropologia e Universitetit Yale, Marcia Inhorn, e përshkroi situatën si një problem për gratë e arsimuara dhe profesionale që dëshirojnë një partneritet, shtatzëni dhe prindërim, por nuk gjejnë gjithmonë partnerë të përshtatshëm, të arsimuar dhe të barabartë me to. Në këto raste, disa gra i drejtohen ngrirjes së vezëve për ta ruajtur fertilitetin ndërsa presin të krijojnë familje.
Ngrirja e vezëve është bërë shumë më e zakonshme gjatë dekadës së fundit, tha Eaton.
Në vitin 2024, në Shtetet e Bashkuara u kryen më shumë se 39 mijë cikle të marrjes ose ngrirjes së vezëve, krahasuar me vetëm 6,090 të tilla në vitin 2014.
Dr. Mindy Christianson tha se ka vërejtur një rritje të interesit edhe në klinikën e saj në Beachwood, Ohio. Rreth 25 për qind e pacienteve që ajo trajton janë të interesuara për ngrirjen e vezëve.
“Patjetër që shohim një rritje të interesit kur të famshmet ngrijnë vezët, por edhe kur miqtë e njerëzve fillojnë ta bëjnë këtë. Kur dëgjojnë se të tjerët po e bëjnë, kjo u jep më shumë siguri në vendimin e tyre”, tha ajo.
Interesi është rritur edhe për shkak se gratë po bëhen nëna në moshë më të madhe. Gratë me arsim universitar, për shembull, sot po e kanë fëmijën e parë mesatarisht pas moshës 35-vjeçare, një ndryshim i madh krahasuar me dekadat e kaluara, kur shumë gra bëheshin nëna në të 20-at.
Kur një grua vendos t’i përdorë vezët e ngrira, ato shkrihen dhe më pas fekondohen me spermën e partnerit ose të një dhuruesi përmes fertilizimit in vitro (IVF).
Deri tani, një numër relativisht i vogël i grave që kanë ngrirë vezët kanë vendosur t’i përdorin ato, sipas një studimi të publikuar në shkurt. Megjithatë, studiuesit thonë se numri mund të rritet ndërsa procedura bëhet më e zakonshme.
“Edhe në mënyrë joformale, në praktikën time është bërë më e shpeshtë që njerëzit të vijnë dhe të thonë: ‘Kam vezë të ngrira prej disa vitesh dhe tani dua t’i përdor’”, tha Dr. Mabel Lee, specialiste e endokrinologjisë riprodhuese dhe infertilitetit.
Ngrirja e vezëve për arsye jo mjekësore konsiderohej procedurë eksperimentale deri rreth vitit 2013, kur teknikat e ngrirjes u përmirësuan ndjeshëm.
Metodat e vjetra mund t’i dëmtonin vezët për shkak të formimit të kristaleve të akullit. Metoda e ngrirjes së shpejtë ndihmoi në shmangien e këtij problemi.
Edhe pse injeksionet e përditshme dhe i gjithë procesi rreth dyjavësh mund të duken të frikshëm, specialistët thonë se shumë paciente e përjetojnë procedurën më lehtë nga sa e kishin imagjinuar.
Megjithatë, mjekët theksojnë se është e rëndësishme të menaxhohen pritshmëritë.
Ngrirja e vezëve nuk garanton një shtatzëni në të ardhmen.
Dr. Eaton e vlerëson faktin që figurat e njohura kanë ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit për këtë procedurë, por paralajmëron se kjo mund të krijojë edhe përshtypjen e gabuar se ngrirja e vezëve është një “sigurim” kundër infertilitetit.
“Mendoj se rritja e ndërgjegjësimit është diçka shumë e mirë. Por do t’i këshilloja njerëzit të mos mendojnë se kjo është një garanci. Fatkeqësisht, shumë të famshëm e paraqesin sikur pas ngrirjes së vezëve nuk duhet të shqetësohen më për fertilitetin”, tha Eaton.
Ngrirja mund të ndihmojë në ruajtjen e vezëve, por mitra e një gruaje vazhdon të plaket me kalimin e kohës, duke rritur edhe rrezikun për komplikime gjatë shtatzënisë.
Hosseinzadeh u thotë pacienteve ta konsiderojnë ngrirjen e vezëve si një lloj plani sigurie. Nëse ato janë të reja, mund të mos kenë nevojë t’i përdorin kurrë vezët e ngrira, pasi mund të mbeten shtatzënë në mënyrë natyrale kur të jenë gati.
Por, siç paralajmëron ajo: “Nga ana tjetër, mos prisni shumë gjatë”. /Telegrafi/






