Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kujtuar h***** Zahir Pajaziti në 64-vjetorin e lindjes së tij, duke vlerësuar kontributin e tij në organizimin dhe fillimin e luftës çlirimtare në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka shkruar se Pajaziti ishte pararendës i luftës çlirimtare dhe njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ajo ka rikujtuar angazhimin e tij për organizimin dhe përgatitjen e luftëtarëve të rinj, si dhe aksionet e para kundër forcave policore serbe.
“Me guximin dhe vendosmërinë e tij, Zahiri e fitoi emrin që ia dha vetë populli ‘Pushka e parë e lirisë’”, ka shkruar Haxhiu.
Në reagimin e saj, ajo ka përmendur edhe rënien e Zahir Pajazitit më 31 janar 1997, në hyrje të fshatit Pestovë, ku së bashku me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën u zunë në pritë nga policia serbe dhe ranë në altarin e lirisë.
Haxhiu ka theksuar se rënia e tyre ndikoi në mobilizimin e shumë të rinjve dhe të rejave për t’iu bashkuar UÇK-së.
“Atë që ai dhe shokët e tij e nisën me pak armë, e vazhduan mijëra luftëtarë deri në çlirimin e Kosovës”, ka deklaruar ajo.
“Lavdi Zahir Pajazitit dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë!”, ka përfunduar Haxhiu./Telegrafi/