Ukraina po kërkon me urgjencë raketa Patriot për të forcuar mbrojtjen e saj ajrore përballë sulmeve ruse.
Në qendër të përpjekjeve evropiane është Greqia, së cilës Kievi raportohet t’i ketë kërkuar deri në 200 raketa të tipit PAC-2.
Athina deri tani nuk ka konfirmuar nëse do të pranojë kërkesën apo nëse do të dërgojë raketa në Ukrainë.
Kërkesa vjen në një moment kur rezervat e raketave Patriot në Evropë janë gjithnjë e më të kufizuara.
Gjermania dhe disa vende të tjera që kanë ndihmuar Ukrainën kanë paralajmëruar se duhet të ruajnë një nivel minimal të municioneve për mbrojtjen e tyre dhe për detyrimet ndaj NATO-s.
Për këtë arsye, vëmendja është zhvendosur drejt vendeve si Greqia, Spanja dhe Polonia, të cilat disponojnë ende rezerva të sistemeve Patriot.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, nevoja e Ukrainës është bërë më e madhe për shkak të rritjes së sulmeve ruse me raketa balistike.
Në korrik, sipas të dhënave të publikuara nga Kievi, nga 195 raketa balistike ruse të lëshuara, vetëm 29 u interceptuan nga mbrojtja ajrore.
Raketa Patriot PAC-2 dhe PAC-3 konsiderohen ndër sistemet kryesore që mund të përdoren kundër këtyre sulmeve.
Ndërkohë, Ukraina po përpiqet të zhvillojë edhe sistemet e saj të mbrojtjes ajrore, por ato nuk janë ende gati për të zëvendësuar Patriotët.
Prodhimi i raketave të reja kërkon kohë, ndërsa marrëveshjet e reja për furnizim nuk pritet të sjellin rezultate të menjëhershme.
Për këtë arsye, Kievi po kërkon raketa nga rezervat ekzistuese të vendeve evropiane.
Presioni ndaj Greqisë dhe vendeve të tjera pritet të rritet, pasi Ukraina kërkon qindra raketa përpara një intensifikimi të mundshëm të sulmeve ruse. Megjithatë, vendet evropiane përballen me një dilemë të vështirë: të ndihmojnë Ukrainën me municione apo të ruajnë rezervat e tyre përballë kërcënimeve të mundshme të sigurisë.






