Alarm për gjitarët detarë, foka e rrallë e Mesdheut gjendet e ngordhur në Vlorë

Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) ka bërë të ditur se më 9 mars 2026 një individ i fokës së Mesdheut është gjetur i ngordhur në zonën e Gadishullit të Karaburunit, në qarkun e Vlorës.

Sipas njoftimit, dy ditë para gjetjes së trupit, turistë kishin publikuar në rrjetet sociale pamje të një foke në të njëjtën zonë. Në video, kafsha shfaqte shenja jete, por edhe sjellje jo të zakonshme për ekologjinë e kësaj specieje, çka ngriti dyshime për gjendjen e saj shëndetësore.


Pas marrjes së informacionit, PPNEA ndërmori një aksion kërkimi në det. Më pas, në bashkëpunim me veterinerë të trajnuar për trajtimin e gjitarëve detarë, u bë e mundur nxjerrja e kafshës nga bregu dhe transportimi i saj për ekzaminime të mëtejshme.

Individi u dërgua në Qendrën Kërkimore SharkLab Adria në Vlorë ku u kryen ekzaminime të detajuara dhe procedura e nekropsisë.

Gjatë këtij procesi janë marrë mostra biologjike sipas protokolleve shkencore, të cilat do të analizohen në laborator për të përcaktuar shkakun e ngordhjes së kafshës.

Sipas ekzaminimeve morfologjike paraprake, individi rezulton të jetë një femër e maturuar. Pas përfundimit të analizave dhe procedurave shkencore, trupi i saj do të dërgohet në Muzeu e Shkencave të Natyrës në Tiranë, ku do të përgatitet për balsamim për qëllime shkencore, edukative dhe ndërgjegjësuese.

Ekspertët theksojnë se Foka e Mesdheut është një nga gjitarët detarë më të rrallë në botë. Popullata globale e kësaj specieje vlerësohet të jetë më pak se 1000 individë, ndërsa në Shqipëri prania e saj është shumë e rrallë. Raste të tilla konsiderohen të rëndësishme për të kuptuar kërcënimet me të cilat përballen gjitarët detarë në rajon dhe për të forcuar përpjekjet për mbrojtjen e tyre./Telegrafi/