Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA ka zhvilluar një aksion para Ministrisë së Punëve të Brendshme, në shenjë proteste ndaj, siç kanë thënë, dështimit institucional për të garantuar sigurinë e grave.
Aktivistet e QIKA-s nuk janë lejuar nga Policia të hyjnë në hapësirat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, andaj aksionin e kanë zhvilluar jashtë objektit të ministrisë.
Gjatë aksionit, ato kanë thyer një pasqyrë, duke e shoqëruar veprimin me mesazhin se pasqyra paraqet “fytyrën e institucionit që drejton” ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në aksion ka folur Anita Vllahiu nga QIKA, e cila ka kritikuar institucionet për mënyrën se si, sipas saj, po trajtohet siguria e grave.
“Thyem pasqyrën e një institucioni që flet për siguri, rend dhe ligj, por që nuk arrin ta garantojë as të drejtën elementare të një gruaje për të jetuar. “Nuk jam i obligum me u marrë me ty” nuk është mendësia vetëm e Faruk Muçollit. Është mendësia e shtetit që nuk e trajton seriozisht jetën dhe sigurinë e grave. Faruku është produkt i një sistemi të kalbur. Përgjegjësia është politike.”
“Nuk pranojmë që një zyrtar të bëhet alibi për dështimin e një sistemi të tërë. Kërkojmë hetim të plotë të veprimeve dhe mosveprimeve institucionale dhe përgjegjësi në të gjithë zinxhirin komandues. Por përgjegjësia fillon nga Xhelal Sveçla dhe vazhdon te secili zyrtar që ka dështuar në detyrën e tij. Xhelal, jep dorëheqje!”
Ndërkohë, sot nga ora 16:00 pritet të zhvillohet edhe një protestë në Prishtinë, e organizuar në shenjë revolte ndaj rasteve të dhunës dhe femicidit, si dhe kërkesës për më shumë përgjegjësi institucionale për sigurinë e grave. /kp/