Adriana Matoshi deklaron pasurinë: Shtëpi 66 metra katrorë, mbi 13 mijë euro kursime dhe kredi në vlerë 15 mijë euro

Magazina

Deputetja e Vetëvendosjes dhe aktorja ka deklaruar të hyra si deputete, por edhe nga angazhimet në aktrim; në dokument figurojnë edhe detaje për kursimet në bankë dhe detyrimet ndaj NLB-së. Aktorja dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, ka dorëzuar deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në Agjencinë për […]

Madhësia e shkronjave

Deputetja e Vetëvendosjes dhe aktorja ka deklaruar të hyra si deputete, por edhe nga angazhimet në aktrim; në dokument figurojnë edhe detaje për kursimet në bankë dhe detyrimet ndaj NLB-së.

Aktorja dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, ka dorëzuar deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Sipas dokumentit, deklarimi është dorëzuar më 25 mars 2026, ndërsa Matoshi është e emëruar në funksionin e deputetes që nga 22 mars 2021.

Foto: Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit

Te pasuritë e paluajtshme, në deklarim figuron një shtëpi me sipërfaqe 66 metra katrorë, e ndërtuar “nga kursimet e prindit” (vit përfitimi 1990), ku pronësia është e shënuar te prindërit.

Ndërkohë, te paratë e gatshme/kursimet në bankë, Matoshi ka deklaruar 13,480.85 euro në NLB Banka, të shënuara si depozita/kursime. Në përshkrim thuhet se prejardhja lidhet me “pagën, kredinë dhe të hyrat e vajzës së vogël Pineas, nga angazhimi i saj”.

Foto: Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit

Sa i përket detyrimeve financiare, ajo ka deklaruar kredi në NLB Banka për renovim të shtëpisë, me vlerë fillestare 15,000 euro. Sipas të dhënave, kredi është marrë më 01.01.2025, me afat përfundimi 01.12.2026, ndërsa vlera e mbetur figuron 12,608.22 euro (shuma totale e kredisë e deklaruar: 15,800 euro).

Në rubrikën e të hyrave vjetore, Matoshi ka deklaruar 18,943.86 euro si pagë neto si deputete, me burim Ministrinë e Financave. Në deklarim figurojnë edhe të hyra nga angazhimet në aktrim, përfshirë 13,457.70 euro nga SH-IKONE STUDIO SHPK, si dhe 5,944.28 euro nga WAVEMAKER FILMS – honorar.

Foto: Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit

Në dokument përmenden edhe shtesa/kompensime prej 340 euro, të shënuara për fëmijë me të cilët jeton në bashkësi familjare, si dhe pensione bazë për prindërit, të listuara me vlera prej 1,800 euro secili.

Ndërkaq, në deklarim është shënuar gjithashtu se gjatë vitit 2025 “nuk kam pranuar të hyra tjera personale përpos pagës si deputete”, ndërsa në tabelë figurojnë njëkohësisht edhe të hyrat nga angazhimet si aktore.

Sipas dokumentit, Matoshi nuk ka deklaruar të dhëna për aksione në shoqëri tregtare, letra me vlerë apo kriptovaluta, ndërsa nuk figurojnë as donacione në parti politike. /Telegrafi/