SHBA-ja cakton nëndetësen e parë sulmuese me energji bërthamore në një bazë australiane

Bota

Pentagoni ka caktuar “USS Colorado” si nëndetësen e parë amerikane sulmuese me energji bërthamore, e cila do t’i bashkohet një force me rotacion që do të vendoset në Australinë Perëndimore. Nëndetësja e klasit “Virginia”, me gjatësi 115 metra dhe e armatosur me raketa për sulme tokësore e torpeda të sofistikuara, do të mbërrijë në bazën […]

Madhësia e shkronjave

Pentagoni ka caktuar “USS Colorado” si nëndetësen e parë amerikane sulmuese me energji bërthamore, e cila do t’i bashkohet një force me rotacion që do të vendoset në Australinë Perëndimore.

Nëndetësja e klasit “Virginia”, me gjatësi 115 metra dhe e armatosur me raketa për sulme tokësore e torpeda të sofistikuara, do të mbërrijë në bazën e re australiane nga fundi i vitit 2027, njoftuan zyrtarët të martën.

Ky dislokim përbën një “arritje të rëndësishme” në ndërtimin e një kapaciteti të përbashkët parandalues SHBA-Australi-Mbretëri e Bashkuar në rajonin e Paqësorit, në kuadër të paktit të mbrojtjes AUKUS, thanë aleatët në një deklaratë të përbashkët, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Marrëveshja e mbrojtjes, e cila shihet si një përgjigje ndaj forcimit ushtarak të Kinës në rajon, synon të pajisë marinën australiane me një flotë nëndetësesh me energji bërthamore (të vështira për t’u diktuar) dhe të zgjerojë bashkëpunimin ushtarak midis tre aleatëve.

Australia nuk lejon baza ushtarake të huaja në territorin e saj, por mirëpret trupa të Marinës Amerikane (Marinës) për stërvitje që zgjasin gjashtë muaj në vit, në qytetin verior të Darvinit.

Forca me rotacion e nëndetëseve me energji bërthamore – e njohur si “Submarine Rotational Force-West” – do të vendoset në bazën detare HMAS Stirling, në Australinë Perëndimore.

Baza pritet të strehojë deri në pesë nëndetëse sulmuese të shpejta – katër nga Shtetet e Bashkuara dhe një nga Mbretëria e Bashkuar – në bazë të një sistemi rotacioni.

Sipas tri vendeve, kjo do ta ndihmojë Australinë të përgatitet për operimin dhe mirëmbajtjen e nëndetëseve të saj me energji bërthamore, duke mbështetur njëkohësisht dislokimin dhe mirëmbajtjen e nëndetëseve të aleatëve të saj.

Ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles, deklaroi për kanalin informativ “News24” se forca e nëndetëseve me rotacion përbën “arritjen e parë vërtet të madhe” në kuadër të marrëveshjes AUKUS.

“Gjithçka po ecën sipas planit”, ka thënë Marles. “Aktualisht, në bazën HMAS Stirling ndodhet personel amerikan që po përgatit terrenin për këtë qëllim”.

Komentet