Kancelari gjerman Friedrich Merz ka theksuar se Evropa mbetet një vend i qëndrueshëm për investime, ndërsa të martën nisi një vizitë në tre vende të Azisë, me synimin për të zgjeruar lidhjet e Gjermanisë në rajon, përtej Kinës.
Duke folur në Singapor – ndalesa e parë e një udhëtimi që përfshin gjithashtu Japoninë dhe Korenë e Jugut – Merz deklaroi se në Evropë “nuk ka pasiguri”.
“Nën qeverinë federale që unë drejtoj, mundësitë për investime do të përmirësohen vazhdimisht”, tha ai pas bisedimeve me kryeministrin e Singaporit, Lawrence Wong.
“Ajo që mund të them është se has në një besim të madh te Gjermania dhe Evropa si destinacione për investime”, shtoi Merz, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Mesazhi i tij optimist vjen në një kohë trazirash të reja në Berlin, ku një ministër kyç nga partneri i koalicionit dha dorëheqjen këtë muaj.
Popullariteti i Merz-it ka rënë, ndërsa mbështetja për të djathtën ekstreme është rritur; ndërkohë, në Francë, protestat disajavore janë shoqëruar me plaçkitje të përhapura.
Megjithatë, Wong theksoi se besimi te Gjermania dhe Evropa mbetet i fortë mes investitorëve nga Singapori, duke vënë në dukje se ata e shohin situatën në një perspektivë afatgjatë, e jo të lidhur vetëm me një cikël zgjedhor.
Berlini po përpiqet të diversifikojë tregtinë dhe partneritetet e tij strategjike, mes shqetësimeve për besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe ngritjes së Kinës si rivale ekonomike.
Kina mbetet partneri më i madh ekonomik i Gjermanisë në Azi, por gjithnjë e më shumë shihet si një konkurrente.
Merz u shpreh se Singapori, Japonia dhe Koreja e Jugut ndajnë “interesa të përbashkëta” me Gjermaninë.
“Nëse i ndërmarrim këto përpjekje së bashku, atëherë pavarësia jonë nga vendet e tjera do të rritet ndjeshëm”, tha ai, pa specifikuar se cilat vende kishte parasysh. /Telegrafi/