Rreth 70 mijë policë dhe xhandarë pritet të angazhohen në të gjithë Francën, ndërsa Luvri dhe disa muze të mëdha në Paris do të qëndrojnë të mbyllura, në përpjekje për të parandaluar përsëritjen e dhunës gjatë protestave.
Fundjavën e kaluar, demonstratat paqësore u shoqëruan me trazira, grabitje të dyqaneve, dëmtime të ndërtesave publike dhe përleshje mes protestuesve dhe policisë.
Protestat organizohen kundër rritjes së kostos së jetesës, ndërsa studentët kundërshtojnë kushtet e pamjaftueshme në shkolla.
Pjesë e tyre pritet të jenë edhe sindikatat e punëtorëve dhe aktivistët e lëvizjes së “Jelekëve të Verdhë”.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, njoftoi se përveç forcave policore do të angazhohen helikopterë, automjete të blinduara dhe topa uji.
Në disa qytete, përfshirë Lionin, Nicën dhe Montpellier-në, protestat janë ndaluar për arsye sigurie.
Ai paralajmëroi se autoritetet do të reagojnë ashpër ndaj akteve të dhunës dhe vandalizmit.
Për arsye sigurie, do të mbyllen muzeu i Luvrit, Musée d’Orsay, Muzeu Picasso dhe Grand Palais.
Edhe panairi prestigjioz i artit bashkëkohor Art Basel ka anuluar programin e fundjavës, pasi organizatorët kanë shprehur shqetësim për sigurinë e pjesëmarrësve.
Ndërkohë, bizneset në Paris po përgatiten për trazira të mundshme. Menaxheri i një supermarketi që u grabit fundjavën e kaluar tha se punonjësit vazhdojnë të jenë nën presion dhe se dyqani do të qëndrojë i hapur vetëm për aq kohë sa situata të konsiderohet e sigurt.
Franca përballet kështu me një fundjavë të tensionuar, ndërsa autoritetet synojnë të parandalojnë përsëritjen e grabitjeve dhe përplasjeve të dhunshme. /Telegrafi/
