ASK: 99,1 për qind e familjeve në Kosovë kanë qasje në internet

Nacionale

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Përdorimit të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit (TIK) në Ekonomitë Familjare për vitin 2026, sipas së cilës 99,1 për qind e ekonomive familjare në Kosovë kanë pasur qasje në internet. Sipas të dhënave të publikuara më 23 tetor, vetëm 0,8 për qind e ekonomive […]

Madhësia e shkronjave

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Përdorimit të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit (TIK) në Ekonomitë Familjare për vitin 2026, sipas së cilës 99,1 për qind e ekonomive familjare në Kosovë kanë pasur qasje në internet.

Sipas të dhënave të publikuara më 23 tetor, vetëm 0,8 për qind e ekonomive familjare kanë deklaruar se nuk kanë pasur qasje në internet, ndërsa 0,1 për qind nuk kanë dhënë një përgjigje të përcaktuar.

Sa i përket grupmoshave, përqindja më e lartë e përdorimit të internetit është te personat e moshës 16 deri në 24 vjeç, me 19,8 për qind. Pas tyre renditen grupmosha 25–34 vjeç me 19,5 për qind, ajo 35–44 vjeç me 17,9 për qind dhe grupmosha 45–54 vjeç me 17,7 për qind.

Ndërkaq, grupmosha 55–64 vjeç përbën 15 për qind të përdoruesve, ndërsa përqindja më e ulët është te personat e moshës 65 deri në 74 vjeç, me 10 për qind.

Të dhënat e ASK-së tregojnë gjithashtu se meshkujt përbëjnë 52,4 për qind të përdoruesve të internetit, ndërsa femrat 47,6 për qind.

Një tjetër gjetje e anketës lidhet me përdorimin e inteligjencës artificiale (IA). Sipas ASK-së, 98,4 për qind e individëve e kanë përdorur internetin gjatë tre muajve të fundit, ndërsa 57,4 për qind e tyre kanë shfrytëzuar mjete gjeneruese të inteligjencës artificiale për qëllime të ndryshme private, arsimore ose profesionale.

Rezultatet pasqyrojnë përhapjen e gjerë të qasjes në internet në ekonomitë familjare në Kosovë, si dhe përdorimin në rritje të teknologjive të reja digjitale, përfshirë mjetet e inteligjencës artificiale./Telegrafi/

Komentet