Menjëherë pasi mbylli sfilatën e Victoria’s Secret me sytjenat ikonike “Fantasy Bra”, me vlerë 50 milionë dollarë, Kylie Jenner mahniti me një fustan të frymëzuar nga të brendshmet, teksa pozonte në plazh me një kalë për fushatën më të fundit të Stella McCartney.
Ylli i reality show-ve, 29 vjeçe, u shfaq mahnitëse me një fustan dantelle gjysmë transparent, me vlerë 1,490 paund, teksa u bë pjesë e filmit të shkurtër të stilistes britanike, me regji nga kineastja Gia Coppola.
Kylie modeloi një sërë veshjesh nga koleksioni Dimër 2026 i stilistes dhe tërhoqi vëmendjen me një bluzë të guximshme, metalike, në ngjyrë argjendi dhe me shpinë të hapur, që i zbulonte anën e gjoksit. Ajo pozoi pranë një kali, ndërsa dielli perëndonte mbi Oqeanin Paqësor.
Më vonë, sipërmarrësja e produkteve të grimit u shtri në rërë, përpara se të futej në det dhe të zvarritej në plazh.
E mbështjellë me një pallto gëzofi ngjyrë kafe, Kylie i largoi flokët e saj të errët nga fytyra, përpara se të ndërronte veshjen me një fustan të shkurtër rozë, me shtresa dhe me dizajn të pazakontë, me vlerë 1,390 paund.
Personaliteti televiziv e kombinoi fustanin me një palë çizme të zeza prej lëkure, deri mbi gju, teksa pozonte me kalin e racës Friesian.
Sipas shtëpisë së modës së McCartney-t, përfaqësues të organizatës American Humane Society ishin të pranishëm në sheshxhirim për të monitoruar trajtimin e kafshëve gjatë xhirimeve. Marka bëri të ditur se asnjë kalë nuk u lëndua gjatë realizimit të fushatës.
Gjithashtu, sipas markës, do të bëhet një donacion për të mbështetur organizatat bamirëse që merren me mirëqenien e kuajve në mbarë botën.
