Autoritetet zvicerane kanë ndaluar aktivitetin e tetë organizatave private të kujdesit në shtëpi në pjesën frankofone të vendit, pas evidentimit të parregullsive që lidhen me sigurinë e pacientëve, mungesën e personelit të kualifikuar dhe faturimin e paligjshëm.
Sipas hulumtimit të transmetuesit publik RTS dhe gazetës zvicerane Le Nouvelliste, pesë kompani vepronin në kantonin e Valaisit, dy në Neuchâtel dhe një në Vaud, transmeton Telegrafi.
Gjatë kontrolleve në Valais, autoritetet konstatuan se dy pacientë ishin vënë konkretisht në rrezik, ndërsa për gjashtë të tjerë ekzistonte mundësia e rrezikimit të shëndetit.
Ndër shkeljet e evidentuara ishin gabimet në administrimin e kujdesit dhe barnave, dosjet e paplota të pacientëve dhe mungesa e infermierëve.
Po ashtu, një kompani dyshohet se kishte faturuar sigurimin e detyrueshëm shëndetësor për shërbime që nuk mbulohen prej tij, përfshirë pastrimin dhe blerjet.
Rasti ka ngritur shqetësime për cilësinë e kujdesit në shtëpi dhe kushtet e punës, ndërsa autoritetet po shtojnë kontrollet për të garantuar sigurinë e personave që kanë nevojë për përkujdesje./Telegrafi/
