Shqiptarët dëshirojnë katër mandate të garantuara në Parlamentin e Malit të Zi

Bota

Nikola Camaj, deputet i Forumit Shqiptar dhe nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi, ka deklaruar se kërkesa për mandate të garantuara për partitë shqiptare nuk lidhet me kushtëzimin e ndryshimeve kushtetuese apo të miratimit të ligjeve që lidhen me integrimin evropian të vendit. Në një intervistë për Radio Televizionin e Malit të Zi, Camaj […]

Madhësia e shkronjave

Nikola Camaj, deputet i Forumit Shqiptar dhe nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi, ka deklaruar se kërkesa për mandate të garantuara për partitë shqiptare nuk lidhet me kushtëzimin e ndryshimeve kushtetuese apo të miratimit të ligjeve që lidhen me integrimin evropian të vendit.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Malit të Zi, Camaj tha se do të angazhohet për sigurimin e katër mandateve të garantuara për partitë shqiptare, duke e cilësuar këtë si çështje të përfaqësimit të drejtë politik dhe të barazisë.

Ai theksoi se pakicat në Mal të Zi e kanë mbështetur pavarësinë e vendit dhe anëtarësimin në NATO pa kushte dhe se, në të njëjtën mënyrë, vazhdojnë të mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Pa asnjë kushtëzim, pakicat e kanë mbështetur pavarësinë e Malit të Zi dhe anëtarësimin në NATO. Në të njëjtën mënyrë, ne ofrojmë mbështetje të plotë dhe pa kushte për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, deklaroi Camaj.

Ai shtoi se përmirësimi i pozitës së komuniteteve pakicë dhe respektimi i marrëveshjeve politike duhet të jenë përgjegjësi e të gjitha palëve, përfshirë opozitën.

Sipas Camajt, çështja e mandateve të garantuara është diskutuar që nga formimi i shumicës aktuale parlamentare.

Për këtë ishte krijuar edhe një komision i posaçëm, ku ishin zhvilluar diskutime për ndryshimin e legjislacionit zgjedhor, por procesi ishte ndërprerë pas largimit të opozitës.

Camaj vlerësoi se legjislacioni aktual zgjedhor nuk siguron përfaqësim mjaftueshëm të drejtë dhe se efektet e tij janë veçanërisht të pafavorshme për shqiptarët në Mal të Zi.

Ai theksoi se kërkesa për katër mandate të garantuara nuk duhet të shihet si mjet për pazare politike, por si përpjekje për të siguruar përfaqësim më të drejtë të shqiptarëve në institucionet e vendit.

Sipas tij, integrimi evropian duhet të shoqërohet me zbatimin e qëndrueshëm të të drejtave të komuniteteve pakicë dhe me krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/

Komentet