Në Ambasadën e Kosovës në Berlin, u pritën në takim Bejtullah Makiqi dhe Sadik Murseli nga FC Liria Berlin, së bashku me diplomaten Vjollca Halimi.
Në faqen e kësaj ambasade në Facebook, u hodhën fotografi nga ky takim, duke treguar edhe se për çka u fol aty, shkruan Telegrafi.

Gjatë takimit, u vlerësua kontributi ndër vite i Bejtullah Makiqit dhe Sadik Murselit, puna e tyre me të rinjtë dhe angazhimi për ruajtjen e lidhjeve me Kosovën përmes sportit.
Po ashtu, u theksua edhe rëndësia e diasporës si forcë që krijon mundësi, ndërton ura bashkëpunimi dhe kontribuon në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Kujtojmë se FC Liria Berlin, i themeluar në vitin 1985 nga mërgimtarë nga Kosova, përfaqëson një histori të gjatë përkushtimi dhe organizimi sportiv në diasporë.
Ngjitja e klubit në Bundesligën gjermane të futsallit në vitin 2023 shënoi një arritje historike për klubin dhe komunitetin shqiptar në diasporë./Telegrafi/