Limaj: Reagimi i Trendafilovës është shenja e parë e efektit të Ligjit për Specialen

Nacionale

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka vlerësuar si hap pozitiv reagimin publik të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, lidhur me ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës. I ftuar në RTV Dukagjini, Limaj tha se dalja publike e Trendafilovës për të dhënë […]

Madhësia e shkronjave

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka vlerësuar si hap pozitiv reagimin publik të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, lidhur me ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

I ftuar në RTV Dukagjini, Limaj tha se dalja publike e Trendafilovës për të dhënë sqarime përbën, sipas tij, shenjën e parë të efektit të ligjit të ri.

Ai vlerësoi se reagimi i saj erdhi si rezultat i veprimeve konkrete të institucioneve të Kosovës, duke kritikuar njëkohësisht mënyrën e komunikimit të Dhomave të Specializuara gjatë viteve të kaluara.

“Së pari, besoj që ky reagim vjen si pasojë e veprimeve konkrete të Kosovës, ligjit. Efektet e para dhe shenjat e para të efektit të ligjit janë detyrimi i zonjës Trendafilova për të dalë e për të dhënë këtë sqarim dhe prononcim”, deklaroi Limaj.

Ai theksoi se Trendafilova nuk e ka komentuar drejtpërdrejt ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, por ka dhënë sqarime duke iu referuar bazës ligjore mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara.

Sipas Limajt, kryetarja e Gjykatës Speciale nuk ka të drejtë të interpretojë ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa vlerësoi se në prononcimin e saj ajo ishte e kujdesshme në këtë drejtim.

Limaj e cilësoi reagimin si një zhvillim pozitiv, pavarësisht përmbajtjes së deklaratës së Trendafilovës.

“Për mua është një hap pozitiv vetë detyrimi i saj me dalë me i dhënë disa sqarime, pavarësisht çka tha. Tregon efektet e para të ligjit”, u shpreh ai.

Në fund, kreu i Nismës Socialdemokrate kritikoi Dhomat e Specializuara për atë që e quajti arrogancë, mungesë komunikimi dhe transparence ndër vite. Ai tha se institucionet e Hagës duhet t’u drejtohen drejtpërdrejt qytetarëve të Kosovës, në emër të të cilëve ushtrojnë veprimtarinë e tyre.

Komentet