Protesta në Tiranë ka hyrë në ditën e tetë, ndërsa situata pranë Kryeministrisë paraqitet e qetë.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, protestuesit nuk po sulmojnë forcat e policisë, ndërsa efektivët nuk po ndërhyjnë ndaj tyre. Për momentin, situata karakterizohet nga një qetësi e përkohshme.
Gjatë protestës, disa prej të rinjve që janë bërë viralë në rrjetet sociale për veprimet e tyre gjatë ditëve të fundit, kanë zgjedhur të kërcejnë valle për disa minuta pranë Kryeministrisë.

Paralajmërimet e Edi Ramës
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paralajmëroi masa penale dhe administrative ndaj personave që kanë shkaktuar dëme gjatë protestave të ditëve të fundit, ndërsa tha se qeveria po shqyrton edhe mundësinë e kufizimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16-vjeçare.
Që nga 13 tetori, mijëra njerëz kanë protestuar fillimisht në Tiranë e pastaj edhe në qytete të tjera, nxitur nga pakënaqësitë e studentëve për kostot e arsimit, kushtet në universitete dhe mungesën e perspektivës ekonomike.
Protestat u zgjeruan shpejt, duke përfshirë qytetarë që kundërshtojnë koston e jetesës, korrupsionin dhe mënyrën e qeverisjes. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe të qeverisë së tij.
Por, pavarësisht protestave dhe kërkesave për dorëheqje, Rama nuk dha asnjë sinjal se do të tërhiqet nga posti. Ai tha se është i gatshëm të dëgjojë edhe qytetarët që kërkojnë largimin e tij, por këmbënguli se ndryshimet politike nuk mund të imponohen përmes dhunës.
Si ftesë për dialog, të martën, ai vendosi disa fleta me mbishkrimin “DIALOG” në disa karrige para objektit të Kryeministrisë në Tiranë. Këto karrige u rrëzuan nga protestues pak orë më vonë. Gjatë protestës të së martës, Policia përdori topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit pasi ata hodhën gurë gjatë tubimit para Ministrisë së Arsimit. Protestën tani po e mbështesin edhe pedagogët që kanë dalë në protestë mëngjesin e së martës.





